Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Propozimi francez sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, opozita proteston

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nis të enjten debati për miratimin e dokumentit të njohur si “propozimi francez”, për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.   

Dy vendet, prej kohësh, kanë mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që kanë bllokuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Franca ka dalë me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.

Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por jo edhe opozita, e cila, tash e dy javë gati, organizon protesta.

Deputetëve të Maqedonisë së Veriut pritet t’iu drejtohet sot me një fjalim edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Zyrtarë të lartë evropianë dhe amerikanë kanë bërë thirrje për miratimin e propozimit, si mundësi e vetme për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, por edhe për, siç kanë thënë, forcimin e paqes dhe të stabilitetit në këtë vend dhe më gjerë.

Miratimi i propozimit në Kuvend do të nënkuptonte mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit, ndërsa kapitujt e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE do të nisnin vetëm pas ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë.

Pika e propozimit që ka nxitur më së shumti debat, është ajo e gjuhës maqedonase, e cila kontestohet nga Sofja, me pretendimin se para vitit 1945 ajo ka pasur “rrënjë bullgare”, sikurse edhe e kaluara e shumë figurave historike, identiteti i të cilave pretendohet nga të dyja shtetet.

Opozita maqedonase, e udhëhequr nga partitë VMRO DPMNE dhe E Majta, mbetet në qëndrimin se propozimi “rrënon” identitetin maqedonas, gjuhën dhe të kaluarën historike.

Sipas saj, propozimi nuk do të kalojë në momentin kur do të nevojitet miratimi i ndryshimeve kushtetuese me dy të tretat e votave, të cilat shumica parlamentare nuk i ka.

“Konkluzionet do të kishin kuptim vetëm nëse Qeveria [e Maqedonisë së Veriut] pranon të korrigjohet propozimi francez, duke hedhur poshtë të gjitha shantazhet, përfshirë ndryshimin e Kushtetutës. Nëse pranohet kështu, Maqedoninë [e Veriut] do ta fusin në një proces të krizave politike dhe tensioneve, në dhjetë vjetët e ardhshme. Por, besoj se propozimi do të ngecë te ndryshimet kushtetuese”, ka thënë Antonio Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së.

Partia qeverisëse, Lidhja Social Demokrate (LSDM), beson në të kundërtën, duke thënë se propozimi nuk dëmton asnjë interes kombëtar apo shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski u ka bërë thirrje deputetëve që interesat shtetërore t’i vendosin, siç ka thënë, para atyre partiake.

Sipas Grupit Parlamentar të LSDM-së, konkluzionet që do t’i miratojë Kuvendi, janë në përputhje të plotë më interesat kombëtare maqedonase.

Partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet dhe Aleanca për Shqiptarët në opozitë, e mbështesin propozimin, si “zgjedhja e vetme dhe më e mirë e mundshme për zhbllokimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut”.

Miratimi i propozimit, sipas tyre, “do të evitonte mundësinë e rritjes së ndikimeve ruse në vend dhe do të forconte stabilitetin jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë”.

Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në BE tash e 17 vjet. Edhe pse zyrtarët evropianë kanë dhënë dritën jeshile për nisjen e negociatave të anëtarësimit, Bullgaria, si vend i BE-së, i ka vënë veto procesit.

Gjatë debatit në Kuvend priten edhe protesta, por Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë masa të forta sigurie para ndërtesës së Kuvendit dhe institucioneve të tjera në Shkup./ REL