Arbëri

Naftëtarët ankohen se Qeveria s’po e zbaton vendimin për marzhën e fitimit

Descriptive Text

Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës është ankuar të mërkurën se Qeveria e Kosovës nuk po e zbaton si duhet vendimin me të cilinqë kompanive që shesin naftë me pakicë u lejohet maksimumi prej 12 centësh fitim për litër.

Sipas një reagimi, drejtuar krerëve të shtetit, Shoqata e Naftëtarëve ka thënë se të martën pikat me pakicë janë furnizuar me çmim 1.71 euro, ndërsa Ministria e Industrisë ka caktuar çmim 1.75 euro.

Naftëtarët kanë kërkuar nga Qeveria që sa më parë ta “revidojë vendimin, të bëjë kalkulimin e importit, shitjes me pakicë dhe të caktohet çmimi nga ana e MINT-it, me qëllim që të mos shuhen bizneset e vogla në këtë kohë krize”.

Edhe një herë, naftëtarët kanë thënë se “vendimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me sektorin e naftës i ka sjellë kompanitë e vogla me pakicë buzë falimentimit”.

Të mërkurën, një litër naftë po kushton 1.73 euro, ndërsa benzina 1.69.

Bazuar në Udhëzimin Administrativ që rregullon çmimin e derivateve, i cili ka hyrë në fuqi në fund të qershorit, Ministria 24 orë përcakton çmimet maksimale të dizelit, benzinës dhe gazit.

Sipas Udhëzimit të ri Administrativ, çmimi për marzhën tregtare maksimal për një litër të produktit të naftës së shitur me shumicë është 2 centë, ndërsa me pakicë është 12 centë.

Vendimi u mor pas konstatimeve të Qeverisë për mospërputhje të çmimeve në krahasim me lëvizjet në tregjet botërore.