Arbëri

Rritet numri i azilkërkuesve në Kosovë

Sivjet është rritur numri i azilkërkuesve në Kosovë. 324 shtetas të huaj kërkuan azil, gjersa prijnë shtetasit e Marokut, Sirisë e Afganistanit. Shumica tentuan të kalojnë ilegalisht në Kosovë.

Qendra për Azil në Magure të Lipjanit i ofron të gjitha shërbimet për këta emigrantë, por të njëjtin e shohin Kosovën vetëm si vend transit.

Në këtë qendër strehohen qindra persona në vit, ku përveç kësaj ofrohen edhe shërbime të tjera shëndetësore, ushqim, pako higjienike, veshmbathje, ofrim i kurseve të gjuhës shqipe dhe të kompjuterëve.

Në qendrën që ka kapacitet për 100 persona, ditëve të fundit kanë qëndruar rreth 30 emigrantë.

“Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, ose muajt e vitit të kaluar me këtë vit, na rezulton se ka një rritje të vogël, diku 7 ose 8 për qind, por që nuk vërehet. Edhe pse ka një rritje, në anën tjetër ka edhe largim të tyre nga Kosova. Sikur herëve të tjera edhe këtë vit, e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit për të kaluar në vende të tjera të BE-së dhe janë në kërkim të kushteve më të mira të punës”, deklaroi drejtori i Qendrës për Azil në Magure të Lipjanit, Fitim Zariqi.

Mesatarja e qëndrimit të tyre është tri javë, por Zariqi theksoi se ka prej tyre që qëndrojnë edhe më gjatë, ndërkohë që shprehin dëshirën të jetojnë në Kosovë.

“Nëse shohim statistikat, nga këta 324 aplikues për mbrojtje ndërkombëtare, mbi 90 për qind janë meshkuj, ose kanë qenë meshkuj, mbi 80% të moshës rreth 30-vjecare, mbi 98 për qind të besimit islam kanë qenë, mbi 95 për qind kanë hyrë ilegalisht në Kosovë”, shton ai.

Tutje, Policia e Kosovës bëri të ditur se në periudhën janar-qershor të 2022-s, në Kosovë janë evidentuar 390 persona që janë futur në mënyrë ilegale. Në krahasim me periudhën e njëjtë kohore të vitit të kaluar, numri i personave të huaj që tentuan të futeshin në Kosovë ishte 446 persona.

Personat që po qëndrojnë në këtë qendër nuk janë të gjithë që kërkojnë azil. Drejtori i Qendrës për Azil në Magure pohon faktin se në disa raste, të njëjtit po shkaktojnë edhe probleme brenda dhe jashtë objektit.

“Masat janë si për të gjithë qytetarët e Kosovës, këta nuk amnistohen nga ligji pse janë emigrantë apo pse kanë kërkuar azil. Policia ndërmerr të gjitha masat dhe procedon rastin si për të gjithë të tjerët që shkelin ligjin. Janë masat edhe të brendshme, në rast se ata i shkelin rregullat e qendrës, sepse nëse kanë bërë vepër penale apo kanë shkelur ligjin jashtë qendrës, atëherë merret ekskluzivisht policia” thekson ai.

Ai shtoi se shumë emigrantë që kërkojnë azil, nuk presin vendimin për aplikimin e tyre.

“Ka deklarata të ndryshme të tyre, qëllime të ndryshme të tyre. Por, qëllimi final i tyre është që të tranzitojnë dhe të kalojnë në vende të BE-së. Përkundër që Kosova i ofron të gjitha shërbimet. Por, synimi i tyre është tjetër, nuk është Kosova. Ani pse futen në procedurë të azilit, një farë forme ne themi që pak a shumë po keqpërdoret procedura e azilit, sepse një person kur kërkon azil duhet të qëndrojë dhe të mos largohet në mënyrë arbitrare. Thjesht zhduket dhe nuk paraqitet më”, shtoi ai./Kosovapress