Arbëri

Në Shqipëri synohet testim elektronik i maturantëve

Ministrja e Arsimit në Shqipëri, Evis Kushi ka bërë të ditur se ndër propozimet e diskutuara për përmirësimi të procesit të testimit të maturantëve, është që kjo të bëhet në formë elektronike.

Në një intervistë për “Euronews Albania”, Kushi ka thënë se në takim me Komitetin e Maturës Shtetërore është diskutuar që nëse ka dakordim për propozimin, ai të jetë i vlefshëm për maturantët që preferojnë programin Mjekësi e Përgjithshme.

Sipas Kushit, nëse ky testim elektronik do të rezultojë i suksesshëm, do të zhvillohet edhe për maturantët që preferojnë programe të tjera studimi.

“Menjëherë pas provimeve, ne kemi zhvilluar një takim me Komitetin e Maturës Shtetërore, me prindër, mësues, drejtues të institucioneve për t’i diskutuar këtë risi që ne mendojmë se do ta përmirësonin ndjeshëm Maturën Shtetërore. Së pari, ne propozojmë të pilotojmë një testim elektronik në formën provimit të licencave, që është tërësisht i automatizuar. Ta pilotojmë fillimisht me degën Mjekësi e Përgjithshme, sepse është programi më i preferuar dhe atje ku shkojnë maturantët më të mirë. Dhe më pas, në rast se na rezulton i suksesshëm, në vitet e ardhshme ta shtrijmë edhe në programet e tjera. Prandaj ne mendojmë që vitin e ardhshëm ta pilotojmë për maturantët të cilët kanë ambicie të shkojnë në programin Mjekësi e Përgjithshme. Ky është propozimi i parë të cilin ne, nëse do kemi një dakordësi të plotë, do të fillojmë menjëherë të fillojmë procedurat”, ka deklaruar ministrja.

Një tjetër propozim, lidhet me rivlerësimin e testit. Kushi tha se e drejta e ankimimit për të rivlerësuar testin, është e drejta e çdo maturanti.

Probleme me testet kombëtare janë shfaqur qe sa vite në Kosovë. Edhe sivjet, nxënës shfrytëzuan grupe në rrjetet sociale për të kopjuar./EuronewsAlbania