Arbëri

Familjarët e Lushtakëve fajësojnë mediat dhe politikën për rastin ndaj policëve

Ish-nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku, së bashku me dy vëllezërit e tij do të jenë nën masën e paraburgimit për 30 ditë, për shkak të dyshimeve për sulm ndaj dy zyrtarëve policorë e për armëmbajtje pa leje. Lushtakët u dërguan në Qendër të paraburgimit nën masa të rrepta të sigurisë, derisa familjarët kanë hedhur fajin tek mediat dhe politika për këtë rast.

Tre vëllezërit Lushtaku do të vazhdojnë të jenë nën masën e paraburgimit për 30 ditë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, mbrëmjen e së hënës e ka vendosur këtë masë ndaj Nuredin Lushtakut, Faton e Arif Lushtakut, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në këtë komunë.

“A u knaqët...”, është shprehur drejtuar mediave Nuredin Lushtaku gjatë daljes nga Gjykata.

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit u mbajt e mbyllur për kamera, derisa u lejuan vetëm gazetarët, monitoruesit e familjarët.

Sipas, prokurores Fetije Bajrami, e gjithë ngjarja nisi mbrëmjen e së shtunës, pasi që djalit të ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dy zyrtarë policorë ia kishin shqiptuar një gjobë për shkelje trafiku. Ai pastaj e kishte thirrur babanë, e i cili kishte shkuar me dy vëllezërit e tij dhe kishin sulmuar dy zyrtarët policorë, Enver Berishën dhe Mërgim Gecin, pas një përleshjeje verbale që kishin pasur.

Sipas prokurores, gjatë përleshjes mes të pandehurve dhe të dëmtuarve është shkrepur edhe një armë, me të cilën është plagosur polici Mërgim Geci, por që nuk dihet e kujt ka qenë dhe kush e ka shkrepur.

Pas përleshjes, sipas pretendimeve të hetuesisë, Nuredin Lushtaku ia kishte marrë armën zyrtarit policor, Enver Berisha, dhe ajo i ishte dorëzuar ish-kryetarit të Skenderajt, Bekim Jashari. Ky i fundit më pas armën e kishte dorëzuar në Polici.

Por të gjitha këto i ka hedhur poshtë Nuredin Lushtaku në këtë seancë, e cila zgjati më shumë se 3 orë, duke thënë se dyshon se ky rast është i montuar ndaj tij.

“Duke pasur parasysh mediat se çfarë është ka ndodh me emrin tim, duke pasur parasysh deklaratat politike qe janë duke i dhënë njerëzia, duke pasur parasysh edhe lëshimet e Prokurorisë që po bëhen, po të lirojë po të kërkojë, mu më bën me dyshu se ky proces është montim ndaj meje dhe ndaj familjes”, ka thënë ai.

Avokatët e të dyshuarve për sulm ndaj personave zyrtarë e për armëmbajtje pa leje, thanë që do ta dërgojnë këtë vendim të Gjykatës në Apel, teksa thanë se polici Enver Berisha e ka provokuar situatën.

“Ne do ta shfrytëzojmë të drejtën tonë për t’u ankuar, ngaqë konsiderojmë se rreziqet procedurale nuk ekzistojnë”, është shprehur Artan Qerkini, avokat i Nuredin Lushtakut.

“Ai është provokuesi dhe pa fajin e të pandehurve shtie me armë, i rrezikon edhe kolegët e vet dhe atë plagë që e ka pësuar kolegu i tij, është drejtpërdrejt prej armës së tij, provat materiale do të tregojnë të vërtetën”, ka thënë Haxhi Millaku, avokat i Arif Lushtakut.

“Kemi shpresuar që do të merret një vendim i drejtë nga ana e Gjykatës, ne si familje i kemi dyshimet tona, kryesisht tek Prokuroria dhe një pjesë e politikës, dimë që disa kanë dalë edhe publikisht...Realisht e arritën atë qëllimin e tyre, edhe kur këto ju afër kamerave e banë atë qëllimin e tyre, udhëtimi i Nuredin Lushtakut ka mujt me një makinë më të fshehtë, por duket se gjithçka është e përgatitur”, ka thënë familjari Tahir Lushtaku.

Nën masa të shtuara të sigurisë, tre vëllezërit Lushtaku u dërguan në qendër të paraburgimit.

Për këtë rast Lushtaku është akuzuar edhe nga partia që i takon.