Arbëri

Kurti bën ftesë në gjuhë serbe për ndërrim të targave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu bëri thirrje serbëve të Kosovës që t’i ndërrojnë targat e makinave në “RKS”, bazuar në vendimin që Qeveria mori ditë më parë.

Nëpërmjet një videomesazhi, Kurti tha në gjuhën serbe se me ndërrimin e targave “garantohet mbisundimi i ligjit krahas politikës dhe interesave individualë”.

“Në 34 qendra tjera komunale regjistrimi, do të jetë i organizuar procesi i regjistrimit të mjeteve, e me këtë kalimi nga tabelat ilegale në ato të vlefshme në bazë të ligjeve të Republikës së Kosovës, tabela me shenjën ‘RKS’. Në këtë mënyrë garantojmë mbisundim të ligjit krahas politikës dhe interesave individualë, gjë e cila është në interes të çdo qytetari të shtetit tonë të përbashkët, Gjatë regjistrimit të parë nuk do kërkohet kontrolli teknik, kurse komunat mund të vendosin të mos kërkojnë pagesën prej 10 eurove në bazë të taksës komunale. Ministria jonë e Punëve të Brendshme do të nxjerrë Udhëzim Administrativ që do të rregullojë detajisht çdo hap”, tha ai të dielën.

 

Thirrje qytetarëve të Republikës që targat ilegale t'i shndërrojnë në ato RKS me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë.

Posted by Albin Kurti on Sunday, July 3, 2022

I pari i Qeverisë theksoi se regjistrimi i veturave do të bëhet në procedura të lehta, pa procedura burokratike administrative.

“Ju do regjistroni veturat në bazë të procedurave të lehta dhe me lëshime të lejuara, sipas rregullave dhe ligjit, kurse ne do të vendosim barazinë të cilën e synojmë të gjithë në çdo segment”, tha tutje ai.

Të mërkurën e 29 qershorit, Qeveria mori vendim që banorëve, kryesisht në veri të vendit që kanë targa të lëshuara nga Serbia, por në emër të qyteteve të Kosovës, t’ua japë edhe një shans, për kthim në targa RKS.