Arbëri

Qeveria vendos reciprocitet me Serbinë për letërnjoftim, jep edhe një shans të fundit për targa

Foto nga arkivi / KOHA
 

Qeveria e Kosovës ka vendosur reciprocitet për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë. Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, Qeveria Kurti vendosi që aplikojë të njëjtën masë, sikur Beogradi zyrtar, që nuk pranon letërnjoftimin, por në hyrje kosovarët i pajisë me një letër që zëvendëson dokumentet e identifikimit.

“Miratimin e kabinetit qeveritar e mori edhe vendimi, sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.