Arbëri

Ligjshmëria e emërimeve në MPJD do të trajtohet nga Këshilli i Pavarur

Ligjshmëria e zgjedhjes së zëvendëssekretarit dhe e zyrtarëve të tjerë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të trajtohet nga Këshilli i Pavarur për Shërbimin Civil, në kuadër të planit të monitorimit të këtij dikasteri. Përveç kontestimit nga mekanizmat aktualë të MPJD-së, zgjedhjen e tani zëvendëssekretarit të MPJD-së e kishin shoqëruar shkelje edhe gjatë kohës sa ka qenë pjesë e ish-Ministrisë së Diasporës

Kontestimi i emërimit të zëvendëssekretarit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk është bërë vetëm nga mekanizmat aktualë brenda këtij dikasteri. Shkeljet e kanë shoqëruar edhe gjatë kohës sa qenë pjesë e Ministrisë së Diasporës, e cila tani është integruar në MPJ. Kjo konfirmohet nga dokumentet që kanë arritur në redaksinë e KOHËS nga ish-zyrtarë të diasporës, me të cilat janë njoftuar edhe institucionet e tjera.

Pa u shpallur konkursi ashtu siç e kërkon ligji, Behar Isma me aktemërim ishte caktuar udhëheqës i Divizionit për Mbrojtje dhe Zbatim të Legjislacionit.

“Pas jo dy muaj të plotë, pra më 01.12.2015, Sekretari i Përgjithshëm i MeD, tani të emëruarin jashtëligjshëm në cilësinë e Udhëheqësit të divizionit për mbikëqyrje dhe zbatim të legjislacionit, z. Behar Isma, me vendim emërohet Udhëheqës i Departamentit Ligjor të Ministrisë së Diasporës, duke mos bërë fare shpallje përmes konkursit për pozitën e Udhëheqësit të Departamentit Ligjor”, shkruan në një raport përmbledhës lidhur me shkeljet e ushtruara në Ministrinë e Diasporës.

Shkelja ishte konstatuar nga Zyra e Auditimit Kombëtar, që kishte kërkuar anulimin e zgjedhjes së tij. Përveç kthimit të procesit në pikën zero, kanë munguar veprimet e tjera për marrjen në përgjegjësi të atyre që kanë nxjerrë vendimin.

“Vërejtjet e gjetura nga auditori, ku pyetësori i vetëvlerësimit i plotësuar nga MeD, kanë vërtetuar se sistemet e kërkuara të menaxhimit të rrezikut nuk ishin ende funksionale dhe kjo e gjetur ishte përsëritur dy vite radhazi (2015 dhe 2016). Andaj shikuar kronologjikisht janë bërë shkelje thuajse e të gjitha parimeve juridike të Ligjit Nr. 03/L-139 për Shërbyesit Civil”, shkruan në raport.

Pas miratimit të organogramit për sistemimin e ish-zyrtarëve të Ministrisë së Diasporës, Shoqata Sindikale e MPJD-së ia ka listuar Agjencisë shkeljet e shumta në auditim dhe risistemim të zyrtarëve të ish-Ministrisë së Diasporës.

Me këtë rast, Shoqata i është referuar emërimit të zëvendëssekretarit në MPJD, Behar Isma, njëherësh drejtor i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, “emërimi i të cilit është bërë duke shkelur dispozitat ligjore. Isma, nga koeficienti 9 është ngritur “kundërligjshëm në koeficientin 16”. Isma mban edhe pozitën e drejtorit të Akademisë Diplomatike në MPJD.

“Auditimi brenda MPJD-së po zhvillohet krejtësisht në mënyrë selektive, vetëm për zyrtarët e ish-MPJ-së duke u përjashtuar nga ky proces zyrtarët e ish-Ministrisë së Diasporës, pjesë e së cilës ishin të gjithë të lartcekurit”, është ankuar Sindikata.

Sindikata ka kontestuar edhe Rregulloren për organizimin dhe sistematizimin e vendeve të punës në MPJD, duke thënë se është në kundërshtim me Ligjin për shërbimin e jashtëm.

“Sipas organogramit të ri, Shoqata konsideron se ka pozita të mjaftueshme për risistemim të zyrtarëve publikë, andaj çdo anashkalim i këtij procesi, jo vetëm që do t’i dëmtojë zyrtarët publikë, por edhe institucionin e MPJD-së dhe shërbimin e jashtëm, ngase të njëjtit zyrtarë tani kanë krijuar një përvojë të mirë në këtë dikaster”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

Ajo ka kërkuar edhe ndërhyrjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil.

Lidhur me rastin e zëvendëssekretarit dhe shqyrtimin e dosjeve të zyrtarëve të tjerë nga ky këshill kanë thënë se ato do të trajtohen në kuadër të monitorimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Ashtu siç ju kemi njoftuar me e-mailin e datës 23.06.2022, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK), në kuadër të mandatit kushtetues dhe ligjor, si dhe duke u bazuar në nenin 20 të Ligjit Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, në mbledhjen e gjashtë (6) të mbajtur me datë 29.04.2022 ka aprovuar Planin e Monitorimit për vitin 2021, ku pjesë e planit të monitorimit është edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet në përgjigjen e Këshillit. “Pas përfundimit të vizitës monitoruese, Kolegji i Këshillit do të përgatisë raport me shkrim lidhur me zbatimin e legjislacionit për shërbimin civil në Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës gjatë javës nuk kanë ofruar sqarime lidhur me temën.

Pretendimet për emërime klandestine e deri te fushata hakmarrëse kundër zyrtarëve kundërshtues brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të trajtohen edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Zyrtarë të këtij institucioni i kanë thënë KOHËS se janë në fazën e mbledhjes dhe analizimit të informacioneve dhe dokumentacionit relevant.