Arbëri

Çekia pret që gjatë kryesimit të BE-së t’i liberalizohen vizat Kosovës

Descriptive Text

Franca ia ka kaluar të premten kryesimin e BE-së Çekisë, shtet i cili pret që gjatë kryesimit gjashtëmujor të ndodhë edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Krahas kësaj, Çekia ka identifikuar edhe tri prioritete të mëdha, shumicën e të cilave i imponon agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës: përballja me krizën e furnizimit me energji, qëndrueshmëria ekonomike dhe ruajtja e unitetit të BE-së në këto kohëra shumë sfiduese

Çekia për herë të dytë, prej kur është bërë anëtare e Bashkimit Evropian, ka marrë përsipër kryesimin e radhës së BE-së. Kësaj radhe pritet të jetë më shumë me fat, pasi herën e parë pikërisht gjatë kryesimit me BE-në në Pragë ra Qeveria dhe me BE-në praktikisht kryesonte një Qeveri në largim. Por, edhe atëherë Çekia me sukses përmbylli kryesimin e radhës.

Kësaj radhe Çekia do të merret me prioritet krejt të tjera, shumicën e së cilave i imponon agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës: përballja me krizën e furnizimit me energji, qëndrueshmëria ekonomike dhe ruajtja e unitetit të BE-së në këto kohëra shumë sfiduese.

Si një vend i cili ka përjetuar se çfarë do të thotë pushtimi nga një regjim totalitar, që ka përjetuar gjatë historisë edhe tradhtinë e fuqive të mëdha, kur Hitlerit ia dhanë dritën jeshile për ta pushtuar, sikur edhe diktaturën komuniste, Çekia është në pozitë të mirë për të kuptuar edhe atë që po ndodh në Ukrainë.

Ndihma Ukrainës, si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë financiar, social dhe ekonomik, do të jetë prioriteti kryesor i Çekisë.

Krahas kësaj, si prioritet shkon edhe siguria e furnizimit me energji, që nënkupton zvogëlimin gradual e në fund edhe ndërprerjen e plotë të importit të gazit dhe naftës nga Rusia. Për këtë duhet të ndërtohen kanale të reja të gazsjellësit dhe naftësjellësit, pasi vendet si Çekia nuk kanë dalje në det.

Krahas të gjitha këtyre prioriteteve, Çekia ka paralajmëruar se kujdes të veçantë dëshiron t’i kushtojë Ballkanit Perëndimor. Më së shumti Çekia llogarit se do të ketë sukses në nisjen sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Franca në ditën e fundit të kryesimit të saj me BE-në ka bërë një “punë të duhur”, thonë diplomatët në Bruksel dhe gjasat janë që së shpejti të zhvillohen konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë, në të cilat simbolikisht do të hapeshin negociatat.

Nëse nuk do të ketë zgjidhje për t’i hequr pengesat për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, atëherë pritet që negociatat të hapen vetëm me Shqipërinë, ndonëse ky është një skenar i cili tentohet të evitohet.

Çekia si kryesuese e radhës, sipas diplomatëve në Bruksel, “duhet të jetë e gatshme për çdo skenar”.

Çekia pret që gjatë kryesimit të saj me BE-në të ndodhë edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Gatishmëria e Presidencës Çeke për ta vendosur në rend dite këtë çështje ekziston. Por kjo do të varet edhe nga vullneti i shteteve të tjera, sidomos Francës, Holandës dhe Gjermanisë. Nga këto shtete kanë ardhur fjalë të mira, e në rastin e Gjermanisë edhe mbështetje e fuqishme publike, por kjo duhet tash të formalizohet edhe me vendim në Këshillin e BE-së.

Çekia, si kryesuese e radhës, duhet të sillet si “ndërmjetësuese e ndershme mes shteteve anëtare”. Por kësaj radhe vërtet ekziston një optimizëm se liberalizimi i vizave për Kosovën vërtet mund të ndodhë gjatë Presidencës Çeke të BE-së.

Në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, Çekia do të organizojë disa takime të rëndësishme edhe në Pragë dhe qytete të tjera të këtij shteti. Por akoma nuk dihet se a do të ketë një samit mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Një i tillë është përmendur para shumë muajsh, por tash është bërë më pak e sigurt. Dështimi dramatik i takimit të fundit të liderëve të BE-së me kolegët nga rajoni ka lënë një ndjenjë të hidhur dhe pakkush ka dëshirë të udhëtojë për takime të tilla, nëse nuk ka mundësi për progres konkret në to.

Por Çekia as nga kjo ide nuk ka hequr dorë. Kjo do të varet se çfarë do të ndodhë ndërkohë në procesin e zgjerimit.

Një samit joformal i BE-së gjithsesi do të zhvillohet në Pragë më 6 dhe 7 tetor, ku do të diskutohet për të ardhmen e Evropës, përfshirë edhe për idetë për krijimin e “Bashkësisë Politike Evropiane” dhe për raportet me vendet që nuk janë anëtare formale të BE-së.