Donjeta Zahiti dhe Elizabeta Bajrami janë në mesin e një grup studentesh, që kanë publikuar një kampanjë për pranim të vajzave në familje dhe shoqëri ditë më parë. Dy studentet e Fakultetit të Gazetarisë thonë se kanë dashur që përmes kësaj kampanje të trajtojnë një temë tabu në Kosovë.
Zahiti tregon se ideja për të zhvilluar një kampanjë të tillë erdhi pasi në grupin e tyre kishte vetëm vajza.
“Kemi qenë të ndara në grupe për realizimin e një kampanje. Kemi qenë vetëm vajza dhe nga këtu ka lind ideja për një kampanjë të tillë. Sepse vajzat janë ato që paragjykohen”, ka thënë Zahiti në emisionin “SOT” të KTV-së.
Ndërkohë, Bajrami u shpreh se nga kjo kampanjë e kanë gjetur veten edhe shumë gra në Kosovës, veçanërisht në zonat rurale.
“Është një temë tabu. E kanë gjetur veten shumë gra në Kosovë, sidomos në zonat rurale. Ne nga intervistat, kemi pasur mundësi të mësojmë shumë gjëra. Përmes kësaj kampanje, kemi menduar të sjellim diçka ndryshe. Të trajtojmë diçka që me të vërtetë ka nevojë për trajtim, dhe pse jo me sjell ndryshim në shoqëri”, ka thënë ajo.
Kampanja për pranim të vajzave në familje dhe shoqëri ishte zhvilluar në kuadër të lëndës Marrëdhënie me Publikun, në Fakultetin e Gazetarisë.