Arbëri

KPK-ja kërkon nga Avokati i Popullit ta çojë në Kushtetuese ligjin e ri

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë se ka bërë kërkesë në Institucionin e Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit të ndryshuar për KPK-në në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit për media, gjithashtu, Këshilli Prokurorial, ka njoftuar se se komentet e tij ndërlidhen me evidentimet konkrete të shkeljeve kushtetuese dhe ligjore që janë bërë me anë të këtij ligji, të miratuar më 23 qershor 2022, në Kuvendin e Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dëshmon se mbetet i përkushtuar që kontestimin e këtij ligji ta bëjë vetëm nëpërmjet rrugëve kushtetuese dhe ligjore dhe do të vazhdojë të angazhohet për një sistem prokurorial të pavarur, të paanshëm, transparent dhe çdo herë në zbatim të ligjit” thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës së dërguar mediave, KPK-ja ka thënë se çfarëdo keqinterpretimi i ngritur në opinionin publik lidhur me moszbatimin e akteve ligjore është i paqëndrueshëm.