Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, javën e ardhshme, do t’u dorëzohet nga Qeveria një ofertë. Por, përmbajtja e kësaj oferte nuk u bë e ditur nga kryeministri Albin Kurti, të shtunën, në konferencën për media. Ai ka thënë se veteranët duhet të kenë pagë më të lartë se minimalja, por paraprakisht u shpreh se duhet të pastrohen listat
Brenda javës së ardhshme veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qeveria do t’ua dorëzojë propozimet që lidhen me kërkesat e tyre për rritje të pensioneve, aq sa synohet të rritet paga minimale, në 264 euro.
Në një konferencë të kryeministrit Albin Kurti e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që u ftua të shtunën për procesin e vettingut, kryeministri ka folur edhe për veteranët dhe takimin që një ditë më parë e pati me ta. Por, nuk ka treguar se cila do të jetë përmbajtja e ofertës për veteranët, të cilën ka thënë se është duke e përgatitur në bashkëpunim me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve. Në fjalën e tij, ai ka thënë se shkëputjen e pensionit të veteranit me pagën minimale e kanë bërë qeveritë paraprake dhe se, sipas tij, një pension në vlerën e pagës minimale nuk është mirënjohje për punën e veteranit. Kësisoj, ai ka thënë se beneficioni për veteranët duhet të jetë më i lartë sesa paga minimale, porse për këtë ka theksuar se fillimisht duhet të ketë pastrim të listave të tyre, në të cilat Kurti ka përsëritur se numri i veteranëve të luftës është fryrë. Rregullimi i këtyre listave, sipas tij, do t’i shërbejë të vërtetës për brezat e rinj dhe për historinë e vendit.
“Unë kam kërkuar paraprakisht të bëhet një rregullim i listave sepse duhet të vijmë deri tek e vërteta historike, ashtu siç ka qenë dhe që e njohin të gjithë. Propozimet me shkrim do t’u dorëzohen sa më shpejt që të mundemi. Brenda javës së ardhshme, patjetër, dhe bashkë me Ministrinë e Financave Punës dhe Transfereve jemi duke punuar në një propozim konkret, ofertë përmbajtjesore me shkrim, të qartë për organizatat e dala nga lufta”, ka thënë Kurti.
Lufta në Kosovë dhe mohimi i gjenocidit të Serbisë zunë vend në fjalimin e kryeministres serbe, Ana Brnabiq, në Forumin e Prespës, deklarata të cilat kryeministri kosovar i komentoi në konferencën e së shtunës. Kurti ka thënë se mohimi i gjenocidit, shifrave të të vrarëve dhe të të dhunuarve është qasje tashmë e njohur e Serbisë, që nga mohimi i masakrës së Srebrenicës. Sipas tij, zyrtarët e lartë të shtetit serb e kanë kuptuar që është pozicion i pambrojtur të thonë se në Kosovë nuk ka ndodhur krim, prandaj ai thekson se ata i shfrytëzojnë tendencat për minimizim të krimit. Brnabiq, gjithashtu në Forumin e Prespës, ka deklaruar se nuk ka dëgjuar nga Bashkimi Evropian ndonjë kërkesë për njohje reciproke, por vetëm për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Por, sipas kryeministrit Kurti, në Bruksel është e qartë që normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve nuk e përjashton assesi njohjen reciproke. Kurti ka deklaruar se ndryshe nga dekada e shkuar, dialogu me Serbinë më nuk është proces në të cilin premtohet njohja e pavarësisë së Kosovës pas kompromiseve të shumta nga ana e kësaj të fundit.
“Nuk ka më në Bruksel të tillë të cilët nuk e kuptojnë dhe nuk e pranojnë që normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë padyshim që e nënkupton njohjen reciproke”, ka thënë Kurti.
Në kuadër të këtij procesi të dialogut, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka njoftuar se javën që vjen pritet një marrëveshje midis dy vendeve. Kurti ka bërë të ditur se kjo marrëveshje ka të bëjë me energjinë, për të cilën bisedime janë zhvilluar mes KEDS-it dhe palës serbe dhe që e njëjta për qëllim ka normalizimin e gjendjes në veri të vendit lidhur me faturimin dhe inkasimin e energjisë elektrike. Kjo marrëveshje përfshin vendosjen e matësve, mirëmbajtjen e matësve, faturimin dhe inkasimin e energjisë.
Ndër çështjet e tjera që kryeministri u deklarua në konferencë ishte edhe rritja e çmimit të derivateve të naftës, për të cilat ka thënë se janë duke e përgatitur një udhëzim administrativ. Ai ka thënë se nëpërmjet këtij udhëzimi administrativ do të mundohen t’u dalin në ndihmë qytetarëve, meqë, sipas tij, opsionet për heqjen e TVSH-së dhe akcizës nuk janë politika të dobishme, pasi thotë se vetëm mund t’i rrisin përfitimet e tregtarëve të naftës.
“Jemi duke e përpiluar një udhëzim administrativ lidhur me çmimet e naftës. Qëllimi ynë është që t’i mbrojmë konsumatorët, pasi naftën e importojmë dhe njëkohësisht më pastaj të kujdesemi edhe që tregu të mos deformohet, pra të ketë konkurrencë të barabartë në treg”, është shprehur Kurti.