Arbëri

Hallet e veteranëve

Insistimi për të kaluar rrethojat e Kuvendit të Kosovës i kushtoi me lëndime trupore Kijani Zenelit.

Veterani nga Kaçaniku, thotë se është lënduar nga Policia e Kosovës, ndonëse një gjë të tillë e arsyeton me rrethanat e turmën e madhe të njerëzve.

“Na kanë dëmtuar pak policia. Unë veç sa erdha prej barnatores, i mora disa ilaçe që më ka dëmtuar policia këtu brinjëve. Kemi dalë me pushu, na nuk e kemi në plan me u dorëzu derisa t`i realizojmë kërkesat tona që janë të domosdoshme”, tha Zeneli.

Sikurse Zeneli edhe veteranë të tjerë nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore, e cila thonë se u është rënduar edhe më shumë nga situata financiare në të cilën ndodhen.

Sabri Haliti pohon se pensioni prej 170 eurosh nuk i mjafton as për terapinë mjekësore që duhet ta përdorë.

“Unë kesh në turmë, nuk mujta me qëndru se s`muj me qëndru prej shëndetit tim. Unë nuk e di ky njeri a ka mendu, a çka ka mendu. Çka është tu mendu për këtë popull. Një ndihmë sociale po e merr 200 euro, një veteran 170 euro”, tha veterani Haliti.

Për të marrë pjesë në protestë, veteranë erdhën edhe nga Shqipëria.

“Kemi kontribuar në vitet ‘98- ‘99 më gjithë forcën që kem pas për këtë UÇK, e di çka kanë vuajt, me ka 50-60 kile në shpinë prej Hasit.... e në Suharekë. Sot, z. kryeministër na ka zhvlerësuar në zero. Turp të ketë, turp të ketë, turp të ketë!”, ka pohuar Bajram Muhadri, veteran nga Shqipëria.

Pastrimin e listave nga ata që mund të jenë të rrejshëm e kërkuan edhe ata, derisa u shprehën të zhgënjyer me trajtimin e deritanishëm nga krerët e institucioneve.

“Kontributin nuk e kem jep na për lekë, por për liri, do Zoti rregullohet kjo punë se kontributin më të madh e kanë jep njerëzit që e kanë dhënë jetën, kanë jep gjymtyrë e askush nuk i përkrah, as nuk i vlerëson”, u shpreh Sahit Thaçi, veteran.

Veteranët paralajmëruan se nuk do të ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Protesta e së enjtes është e dyta me radhë brenda dy javësh dhe vjen pas vendimit të Kuvendit që këtë kategori të mos e përfshijë në rritjen e pagës minimale.