Gazetarja Salie Gajtani-Osmankaq, e cila është edhe autore e librit për të mbijetuarit e dhunës seksuale “Anemone”, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për viktimat.
Ajo në Interaktiv të KTV-së, të mërkurën, tha se duhet të bëhen ndryshime në Ligjin për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë.
“Duhet të ndryshohet ligji për njohjen e statusit të viktimave civile të luftës sepse lë për të dëshiruar. Çfarë mund të bëjnë institucionet është ndryshimi në ligj dhe heqja e afatit 5 vjeçar që kërkohet për marrjen e statusit. 20 mijë të mbijetuar dhe kemi vetëm 1.600 aplikime. Duhet kohë që të binden se ky pension u takon atyre”, tha ajo.
Gajtani-Osmankaq ka thënë se libri “Anemone” mund të përdoret si dëshmi për dhunën seksuale të përdorur si armë lufte nga Serbia. Por, sipas saj, askush nga institucionet asnjëherë nuk ka kërkuar t’i dëgjojë rrëfimet apo t’i pyesë vetë viktimat.
“Libri mund të përdoret si dëshmi. Të gjithë janë dëshmitarë të gjallë, askush nuk na ka kërkuar, i kemi dorëzuar gjithkund por askush nuk ka kontaktuar direkt me personat që i njohin këta të mbijetuar për të dëgjuar rrëfimet. Ka përshkrime të dhunuesve, shumica e viktimave i njohin”, tha ajo.
“Institucionet duhet të bëjnë më shumë dhe kanë mundësi për më shumë. Vetëm të shfrytëzojnë potencialin që kemi ne si organizata, ata do bënin punë të mirë”.
Gajtani-Osmankaq tregoi për punën që ka bërë për t’i përmbledhur 24 rrëfimet e 24 të mbijetuarve të dhunës seksuale në Kosovë, përfshirë një burrë.
“I gjithë procesi ka marrë prej pas luftës deri më 2019, kur të mbijetuarit janë pajtuar ta ndajnë rrëfimin e tyre me lexuesit. Së pari është dashur identifikimi i të mbijetuarve. Gjithë këto vite Medica ka punuar në trajtimin e tyre dhe ka arritur që gratë lëmshin që e kanë pasur brenda, duke mos pasur guxim ta thonë të vërtetën, ta thonë. Më e rënda për mua ka qenë ku gratë janë gjetur se po e ndjejnë veten fajtore, të turpëruar kur ky nuk është turp e as faj i tyre”, tha ajo.
Ajo ka thënë se organizata Medica në Gjakovë ka trajtuar 600 raste, por konsideron se është tejet i vogël në krahasim me 20,000 të dhunuar. Ka treguar edhe për përvojën e saj personale.
“Të shkruash një rrëfim për një dhunim si armë lufte është puna më e vështirë që kam bërë ndonjëherë. Sepse është dashur të bëhet me shumë kujdes, të mos e bëjmë të ndihet keq personi që e ka ndarë rrëfimin dhe rrëfimi të jetë i përshkruar sa më mirë”.
Gajtani-Osmankaq tha se synon që librin ta promovojë edhe në Serbi, me gjithë rreziqet që mund të paraqesë një veprim i tillë.
“Synojmë ta promovojmë edhe në Serbi, ndoshta me shumë risk, sepse vetëm që është përmendur se libri do shkojë aje ka pasur reagime”.
Ajo tregoi edhe se sa e vështirë ka qenë për një burrë ta ndajë rrëfimin e tij.
“Është mirë që së paku e kemi një burrë pjesë të librit. Është shumë më e vështirë për një burrë që ta pranojë ta ndajë rrëfimin sesa gratë. Sepse përveç turpit ata ndihen të zhburrërruar, të turpëruar”, pohoi ajo.