Arbëri

Krasniqi: Kurti po e shpërfill UÇK-në

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, e cilësoi legjitime dhe të drejtë protestën e veteranëve të UÇK-së, që pritet të mbahet të enjten para objektit të Qeverisë.

Krasniqi shkroi në Facebook të mërkurën, se kryeministri Albin Kurti e ka shpërfillur lavdinë dhe krenarinë e luftës së UÇK-së, derisa shtoi se veteranët kanë të drejtë të ta kërkojnë atë që iu takon.

“Me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, kryeministri Kurti ka shkelur dinjitetin e secilit prej tyre. Prandaj, protesta e nesërme e veteranëve të UÇK-së është legjitime dhe e drejtë. Veteranët kanë të drejtë që të përdorin çdo mjet demokratik, qytetar e institucional për të kërkuar atë që u takon. Partia Demokratike e Kosovës i ka përkrahur dhe do t'i përkrahë kërkesat e tyre të drejta”, shkroi Krasniqi.

Ai theksoi se Qeveria duhet ta kuptojë që veteranët nuk janë barrë për shoqëri, “por patriotë që meritojnë respektin e plotë të secilit”.

“Kjo sjellje e papërgjegjshme karshi veteranëve është absurde, e paarsyeshme dhe duhet të ndryshojë menjëherë”, thuhet në statusin e tij.

Organizatat e dala nga lufta, të martën bënë thirrje për një protestë gjithëpopullore, me qëllim të kundërshtimit të mospërfshirjes së pensionit së veteranëve në Projektligjin për pagën minimale.

Me 68 vota pro, asnjë kundër e gjashtë abstenime, Kuvendi e kaloi në lexim të parë projektligjin.

Në këtë projektligj, veteranët janë ndarë nga paga minimale.

Kalimin e projektligjit, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e cilësoi fitore "të fëmijëve të UDB-së e kthim të Rrahman Morinës në parlament".