Arbëri

Mosha mesatare e policëve të Kosovës, më e larta në rajon

Mosha mesatare e policëve kosovarë është më e larta në rajon, ndaj miratimi i ligjit për pensionimin e parakohshëm po shihet i domosdoshëm nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, u shpreh se premtimet ishin që ky ligj të hynte në fuqi qysh në muajin mars.

Me miratimin e ligjit për pensionimin e parakohshëm, secili zyrtar policor që mbush 55 vjet, kalon në pensionim të parakohshëm, derisa pritet të marrë si pension 60 për qind të pagës.

Ndërkohë 528 zyrtarë policorë janë me sëmundje kronike dhe ata janë të detyruar të dalin në punë.

“Ligji për pensionimin në moshën 55-vjeçare ose të parakohshëm për Policinë e Kosovës është jashtëzakonisht i domosdoshëm dhe ne kemi bërë kërkesë dhe kemi biseduar për këtë çështje me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ajo ka shprehur interesimin që ky ligj të aprovohet. Mosha mesatare e policëve të Kosovës është më e vjetra në rajon, ka arritur moshën 47-vjeçare”, tha ai.

Në Shqipëri, mosha mesatare e policëve është 44.1 vjeç, sipas "balkanweb", ndërkohë në Serbi më 2020 ishte 41.3 vjeç.

Sipas tij, me moshë mesatare 47-vjeç është e vështirë të kryhen shumë detyra e autorizime policore.

“Është kërkesë e sindikatës që me çdo kusht këtë vit të procedohet ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare, është i domosdoshëm, në një formë të përmirësohet edhe kualiteti dhe mirëqenia e zyrtarëve policorë pas pensionimit”, theksoi Zeqiri.

Sipas tij, përafërsisht numri i të gjithë pjesëtareve të Policisë duke e llogaritur edhe pjesën e stafit civil, është 9.200.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, tash deputet i PDK-së, Rashit Qalaj, tha se miratimi i këtij ligji do të ndikonte me përtëritjen e këtij institucioni dhe në këtë mënyrë do të ofroheshin shërbime më të mira për qytetarët.

Ndërkohë, Ministria e Financave nuk ka kthyer përgjigje se kur do ta dërgojë për miratim këtë projektligj. /ksp