Arbëri

Sveçla për dhuratën 20.000-euroshe nga Katari: Po të kthehej, raportet mes vendeve do të lëndoheshin

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se për orën që e mori dhuratë nga shteti i Katarit gjatë vizitës atje, e njoftoi menjëherë kryeministrin Albin Kurti, të cilët i kërkoi sqarime se çka duhet vepruar.

Sveçla tha të mërkurën në “Sonte me Rronin” në KTV, se orën e mori nga kryeministri i Katarit pas takimit, si shenjë protokolli, e ajo sipas tij kap vlerën e rreth 20 mijë eurove.

“Pas takimit, protokolli i kryeministrit më dorëzoi një qese letre, një dhuratë nga kryeministri. E hapa dhuratën dhe e pashë që është një dhuratë e shtrenjtë, që siç duket për këtë vend (Katarin v.j.) nuk është e jashtëzakonshme. Për rrethanat tona është jashtëzakonisht e shtrenjtë. Në një hulumtim sipërfaqësor që bëra, kam kuptuar se është rreth 20 mijë euro. Menjëherë i kam shkruar kryeministrit Kurti dhe e kam njoftuar për këtë dhuratë”, tha Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme theksoi se po të kthehej një orë e tillë, raportet mes Kosovës dhe Katarit do të mund të lëndoheshin.

“E kam njoftuar Kurtin se dhuratën do ta marrë, por jo për vete, por si shenjë mirënjohje e Katarit për Kosovën. Ora klasifikohet si dhuratë e karakterit personal. Nuk mund të vendoset apo të ekspozohet si institucion. Vendimi ka qenë i qartë. Ora ndodhet në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Me të aterruar në Aeroportin e Prishtinës, në momentin e parë e kam deklaruar në Doganë”, rrëfeu Sveçla.

Ai potencoi se nga Dogana ka marrë një vërtetim që po e japë orën, e pastaj tha se i është drejtuar Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), për sqarime.

“Nuk kemi pasur problem me Doganën. Hera e parë që një zyrtar i Kosovës deklaron një dhuratë të tillë. Nuk besoj se ora është vlerë që përcakton një individ. Për mua, të ju them të drejtën, nuk mendoj se përkon me realitetin e Kosovës, që një zyrtar të marrë një dhuratë të tillë ose të mbajë një orë kaq të çmuar”, deklaroi ministri Sveçla.

Për takime të tjera jashtë vendit, Sveçla deklaroi se ka shumë, por që disa refuzohen për shkak të agjendës. Sveçla shtoi se në të gjitha takimet jashtë vendit që ai e kabineti i tij i kanë pasur, Kosova ka përfituar projekte.