Arbëri

PRAK-u po i përcjell me shqetësim gjetjet e hulumtimit të KOHË-s

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) po i përcjell me shumë shqetësim raportimet në portalin KOHA.net për shpërdorimin e parave të Programit për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJISHP).

KOHA tash e sa ditë ka publikuar një seri të hulumtimeve për shpërdorimin e këtij fondi në emër të shërimit të pacientëve jashtë vendit.

“Problemet e raportuara tregojnë për një politikë dhe menaxhim të gabuar të këtij fondi, pasojat e të cilave reflektohen në shkelje të dinjitetit të qytetarëve tanë deri në atë masë sa u rrezikohet jeta! Kur flasim për jetët e njerëzve humbjet financiare bëhen ‘të pa përfillshme’! Që nga themelimi, TMJISHP është përcjell me probleme. Përkundër këtyre problemeve ministrat e njëpasnjëshëm kanë refuzuar të merren me të! Një prej dëshmive se reforma e nisur në vitin 2011 ka marrë kah të gabuar është edhe fakti se pa u plotësuar kushtet siç e kërkon Ligji (edhe i Shëndetësisë edhe i Sigurimit Shëndetësor), AFSH (Agjencia i Financimit Shëndetësor) u pavarësua dhe u shndërrua në Fond të Sigurimit Shëndetësor. Kjo krijoi paqartësi që asnjëherë nuk u adresuan”, thuhet në reagimin e PRAK-ut.