Arbëri

Dëshmitë e familjarëve: Të punësuarit shqiptarë në spitalet e Turqisë, pjesë e pazareve

Mosmbikëqyrja që ka Fondi i Sigurimit Shëndetësor mbi trajtimin e pacientëve që trajtohen jashtë vendit bën që familjeve t’u kërkohen para kesh e të mbesin pa zgjidhje në Turqi. Gjatë hulumtimit, KOHA i ka intervistuar shumë familje që kanë përvoja të tilla. Ata thonë se u janë kërkuar para e janë mashtruar, sidomos nga punëtorët shqiptarë që spitalet në Turqi i kanë punësuar për shkak të numrit të madh të pacientëve nga Kosova. Tri rrëfime të familjarëve të pacientëve dëshmojnë se si “tarifa” e tyre shkon prej 20 a 30 mijë euro, e “marrëveshjet” bëhen si pazare

Rrëfimet e familjeve që kanë pasur përvoja me Programin për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, shpërfaqin dështimin e secilit mekanizëm të shtetit mbi të.

Ky program është në kuadër të Fondit të Sigurimit Shëndetësor qysh prej vitit 2018, kur u krijua Fondi si organizatë e pavarur buxhetore. Prej vitit 2005, ka funksionuar në kuadër të Agjencisë për Financimin e Shëndetësisë brenda Ministrisë së Shëndetësisë.

Dramat që familjarët e pacientëve i kanë rrëfyer për KOHËN, dëshmojnë për një program të keqmenaxhuar, të pakontrolluar e që ka derdhur miliona jashtë shtetit.

“Ma mirë ka qenë me m’thanë që djali yt e ka përfundu”

Nëna Shqipe Nikqi e ka pak metra larg shtëpisë verore varrin e të birit, Gentit. Ajo dhe familja verën e kalojnë në fshatin Shtupeq të Rugovës. Genti ka vdekur vitin e kaluar në një spital në Turqi. Diagnostikim i vonshëm dyshohet se i ishte bërë në Kosovë, ndërsa ishte dërguar pa vetëdije, me aeroplan special, në spitalin Memorial në Turqi.

Ai u mbajt në jetë për dy javë i lidhur për aparatura. Fondi i Sigurimit Shëndetësor kishte lëshuar fletëzotim financiar për trajtimin e tij, gjë që nënkuptonte që spitali më nuk do t’i kërkonte para, por ajo rrëfen se një ditë para se t’i vdiste i biri, përkthyesja shqiptare i kërkoi sërish para. Nikqi ishte e shoqëruar nga një kosovar, që familjen e kishte ndihmuar në mbledhjen e parave nëpërmjet apeleve publike.

“Pas 65 mijë eurove më kërkonin pare, më kanë thirrë bile prej hotelit që me ardhë aty se... ‘djali yt u hy për të tretën javë, janë shku qeto pare edhe djalit duhesh me i pagu apet pare’”, thotë ajo tek shton se shpenzimet për të birin e saj ishin rreth 35 mijë. “Edhe unë e kam ba hesap. Janë dhënë 65 mijë, djali jem i bike 35 mijë. Edhe ishin bo dy javë prej që djali jem kish mbërri në Turqi. Ata ‘po’, unë ‘jo’ deri sa ua qita me datë”, shpjegon ajo.

Kur fletëzotimi financiar shkon nga Fondi, spitalet sipas rrëfimeve të familjeve s’i mbajnë të informuar për shpenzimet. Kjo bën shpesh që punonjësit aty të kërkojnë para shtesë.

Selma Dubova është një nga përkthyeset në këtë spital. Ajo është përmendur nga disa familje që përkundër që kanë pasur fletëzotim financiar nga Fondi u ka kërkuar sërish para. Dubova është kontaktuar përmes një mesazhi, e më pas KOHA ka zhvilluar edhe bisedë telefonike me të. Për çështjet e tjera ajo ka thënë që pyetjet t’i drejtohen spitalit, ndërsa për rastin e Gentit fillimisht ka deklaruar që nuk është paguar fare, e me vonë ka dhënë tjetër përgjigje.

“Bisedova dhe drejtorët tha që nuk është pagu asnjë cent shtesë, përpos Ministrisë, familjarët dhe pacienti nuk kanë pagu asnjë cent”, ka thënë ajo.

Shqipja kishte mbledhur para edhe nga qytetarët e Kosovës, nëpërmjet apeleve publike. Sot gati një vit pas, ajo do të donte që të mos e kishte kaluar atë eksperiencë në Turqi.

“Për një nanë ma s’ka jetë. Jeton me një dhimbje të mëdha. Ama ma e kënaqun kisha qenë mem thanë në Prishtinë e ka përfundu djali yt. Ishin veç tri ditë që nuk kisha folë me të. Maltretimin ma të madh ma kanë ba në Turqi. Shpresojsha, thojsha këtu e kanë pru....thojsha ky ka me u çu. Ma mirë ka qenë me m’thanë që djali yt e ka përfundu”, thotë ajo duke qarë.

Sipas saj, mbase ato para mund të përdoreshin për një fëmijë tjetër, që gjasat i kishte me të mëdha për jetë.

“Mos me i marrë unë paratë e popullit. Me i kthy, me i dhanë për dikë që ka nevojë, që fëmija i tij ka me u çu sesa për djalin tim që nuk u çu”, thotë ajo. Kjo nënë ka rrëfyer takimet me shqiptarë të tjerë në këtë spital.

“Atje në Turqi – plot shqiptarë. Janë kthy edhe ata për fat keq si unë. Por të paktën iu vyjke ndihmë se shumë shpenzimet e mëdha atje. Shihja shumë fëmijë me leukemi, nuk kishin para. Bile një djalë i anës së Gjilanit, baba i tij dojke me u kthy se nuk kish pare. Kur me ka vdekë mua djali, 2 mijë euro të fundit ia kom dhanë. I thashë djali im e përfundoi, djali yt ishalla s’e përfundon”, ka rrëfyer ajo.

Mungesa e mekanizmit institucional që kontrollon zinxhirin e trajtimit jashtë vendi bën që askush të mos e dijë se çka ndodh saktësisht në Fond.

KOHA e ka kontaktuar për këtë rast Fondin. Ata kanë thënë se ende nuk është bërë pagesa, por nuk kanë treguar sa ka ardhur fatura.

Rrëfime si të Shqipes, ka pothuajse secili prind me të cilin ka biseduar KOHA gjatë hulumtimit disamuajsh.

PJESËT PARAPRAKE TË HULUMTIMIT

“Prej aeroplanit kanë fillu me vjedhë, deri e kur u lshu”

Fondi i Sigurimit Shëndetësor kishte bërë fletëzotim financiar vitin e kaluar në vlerë të 120 mijë eurove për një fëmijë 9-vjeçar, që ishte diagnostikuar me leukemi. Vajza do të trajtohej në spitalin “Medical Park”, por sipas prindit, një përkthyese shqiptare vazhdimisht u kërkonte para kesh.

“Vjet e kam dërgu me aeroplan special. Prej aeroplanit kanë fillu me vjedhë deri e kur u lshu”, ka thënë ai.

Përkundër që Fondi i Trajtimit Shëndetësor ka marrë obligim që 100 për qind ta paguajë të trajtimin e kësaj vajze siç edhe obligohet ligjërisht, këtij prindi po i kërkohen edhe 30 mijë euro që spitali pretendon se i ka borxh. Mënyrën se si ia kërkoi spitali borxhin e pretenduar, ai e përshkruan si bisedë pazari.

“Aty si në pazar: ‘Këtu duhet plus edhe 30 mijë po nuk është problem po jua zbresim 20 mijë’. Aty e dita që është dallavere. Nuk ishin 100-200 euro, por 10 mijë“, ka treguar ai.

Ky prind fajin e lë te Fondi i Sigurimit Shëndetësor.

“Problemi që këto fletëzotime lëshohen shkel e shko. A po kupton se në pyetje është jeta, e tash për shembull çdo prindi nuk i interesojnë paratë, por fëmija. Tash kur të shkosh atje, atje t’i ndërrojnë krejt. Po krejt këta shqiptarët i bëjnë këto punë, nuk i bëjnë turqit”, ka deklaruar ai.

Ka treguar rastin e një nëne nga Peja që spitali ia kishte marrë pasaportën, përkundër që Fondi ia kishte mbuluar shpenzimet, por që ata llogarisnin edhe të tjera shpenzime.

“Ka qenë një vajzë prej Peje, edhe ajo nga leukemia, por ajo për herën e dytë. Asaj ia kanë marrë pasaportën së nuk ka pasë para me pagu asnjë cent. Fëmijëve të mi nuk ua kanë marrë pasaportën, por disa të tjerëve po”, ka thënë ai.

Ka rrëfyer se në spital kishin filluar t’i kërkojnë para qysh ditën e dytë kur i ishte hospitalizuar vajza. Një kërkesë të tillë e bënin edhe pse kishin shkuar me pagesë të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

“Kur jam shku, me thirri një si përfaqësues tha: ‘Po i kërkojnë paratë’. I thashë: ‘Jo nuk kam para’. Për secilin shqiptar bënin njëjtë, si një lloj manipulimi, tamam tregti, manipulime me pacientë e me të vdekur e me krejt”, ka treguar ai.

Ky prind ka thënë që i është drejtuar KOHËS vetëm pasi ka dëgjuar rrëfimet e të tjerëve.

“Jo, jo nuk jam ankuar askund. Se thosha me dalë veç unë nëpër televizione, nuk del kurrkush tjetër e ma së shumti e kisha problemin te çika se mjekët e kanë këqyrë mirë e thosha mos po i bëjnë najsend sa ish atje. Unë i kam krejt emrat e tyre, numrat e tyre kinse përfaqësues”, ka treguar ai.

Dyshimet e tij janë që “korrupsioni lidhet prej Kosove”.

“Prej Fondit të Sigurimeve lidhjet e Ministrisë e prej shtetit lidhen krejt këto sene”, ka thënë ai.

Problemi i Programit për Trajtim Jashtë Vendi është i vjetër, por nuk është adresuar asnjëherë.

“Shkova në park e veç ia nisa me qajtë, edhe nuk disha kah tash...”

Në fund të vitit 2011 programi ende ishte pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ragip Berisha e kujton 12 nëntorin e vitit 2011 kur djali i tij asokohe 15-vjeçar ishte diagnostikuar me leukemi.

“Këtu në Pediatri, doktor Bradhyli dhe doktoreshë Violeta me thanë djali është me leukemi”, kujton ai.

Kishte dalë në oborrin e QKUK-së pa e ditur se çfarë do të bënte tutje.

“Shkova në park e veç ia nisa me qajtë, edhe nuk disha kah tash”, thotë ai.

Një nga momentet me të vështira të jetës së tij ishte dita kur e mori fletëlëshimin nga QKUK-ja.

“Drejtori i Klinikës tash nuk po më kujtohet emri me tha djali i ka edhe dy ditë jetë nuk ka me shumë”, tregon ai.

Por ditë me vonë do ta merrte rrugën në Beograd për të qëndruar disa muaj. Trajtimi aty sipas tij, nuk ishte i keq, por djali duhej ta bënte transplantin e palcës kockore. Familja Berisha i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.

“Shkum te ministri, atëherë ministër ka qenë Ferid Agani. I tha atij këshilltarit të tij, fute në listën e 15 personave të parë që do të shkonin në Turqi. Shoqja me vëlla çdo ditë shkonin pastaj në Ministri të Shëndetësisë, por kurrfarë përgjigjeje”, tregon ai.

Një nga problemet ishte të gjendej donatori. Rezultatet treguan që dy djemve të tjerë të tij nuk u përshtatej palca kurrizore me vëllanë e sëmurë. Shpresa e vetme ishte si të gjendej një donator i huaj.

“Vajza e motrës erdhi prej Gjermanie, e mori gjakun dhe u kthy në Gjermani e filloi të kërkonte donatorë. I gjeti tre donatorë palca e të cilëve përshtatej pothuajse 100 për qind”, thotë ai.

Së bashku me djalin kishin udhëtuar për një spital në Izmir. Kishin kaluar disa muaj por transplanti i djalit nuk po i bëhej.

“Pas 8 muajsh thanë 130 mijë euro nëse doni me e ba transpalntin”, tregon ai përvojën e tij, edhe pse ishte nisur për në këtë spital e zotimin që Ministria e Shëndetësisë do t’ia mbulonte shpenzimet.

“Thanë na ma andej nuk shkojmë, edhe jemi kthy”, tregon ai.

Berisha thotë se nuk ua kishte rekomanduar familjeve të tjera trajtimin e njëjtë.

“Tash si person unë nuk e kam ditë çka është leukemia, por prej që me ka ndodhë mu ishalla nuk ni për asnjë rast, por për në Turqi unë nuk i ditë tjerat spitale, por për Izmir nuk i kisha thanë asnjë personi me shku. Po flas aty ku kam qenë unë”, ka treguar ai.

Barnat e shpenzimet e tjera në spital i kishte mbuluar vetë. Ishte detyruar të shesë bagëtinë, por edhe e kishin ndihmuar familjarët.

“Unë ju thosha nuk i kemi ato pare me i pagu, ai thojke njerëzia i shesin pronat, i shesin shtëpitë për me u kry kjo. Po unë me të thanë të drejtën jam shku nga ajo që ministria i ka kry ato krejt, se unë me ditë që më kish ndodhë ajo s’isha nisë”, e kujton ai këtë ngjarje dhjetë vjet me vonë.

Gashi u kthye në Kosovë pa u kryer transplantimi. Përmes familjarëve gjeti donatorin e palcës kurrizore në Gjermani.

“Vajza e motrës e gjeti një doktor në Gjermani, por ai nuk kishte pranuar, por vajza e motrës ka insistu çdo ditë edhe dikur kishte pranu. Mandej ai e ka nisë procedurën për me lypë ndihma. Ndihmat kanë fillu me i kërku më 10 dhjetor e deri më 22 janar 2013 janë mbledhur 130 mijë euro. I kemi marrë vizat dhe më 23 janar 2013 kemi shku në Gjermani. Më 10 mars iu ka ba transplanti”, ka rrëfyer ky prind.

Djali pas transplantit filloi jetën e shkollimin në Gjermani. Sot është zhvendosur përfundimisht atje.

E një nga personat gjermanë që kishte ndihmuar në mbledhjen e parave për transplantim kësaj familjeje, dy vjet me vonë i kishte dalë sërish në ndihmë.

“Na ia kemi çu do foto se jemi të fshatit Siqevë, edhe nuk i kemi pasë atje kushtet e mira, më shumë për ujë kemi hjekë shumë. Kur e ka pa, e ka dhanë një shumë goxha të madhe të parave – 50 mijë euro. Pasi u kry u shëru djali tha “kam vendos me të ndihmu me ta maru shtëpinë’. I thashë jo ti ke maru shpi, ma ke shnoshë djalin, ke dhanë boll, tha jo jo, edhe komplet këtë shtëpi me truall e krejt e ka pagu”, ka treguar ai.

Ky prind sot beson që shteti nuk ka bërë mjaftueshëm për shëndetësinë publike. Përvojat se si është të endesh në spitale të huaja i ka jetuar në lëkurën e vet andaj e di domosdoshmërinë e investimeve në spitale vendore.

“Unë e kisha pas një apel për Ministrinë e Shëndetësisë. Ma mirë është me pru një mjek prej jashtë 10 mijë euro, se me e çu popullin, pacientët e familjet me i maltretu nëpër spitale. Mjekët në Kosovë kushtet nuk i kanë. Për pacientë me u interesu më shumë. Tash po thonë na po japim para për Turqi, po pse me dhënë për Turqi, jepi vendit tënd”, ka deklaruar ai.

Nesër mund të lexoni: Kur filloi rritja e parave të buxhetit publik për në Turqi? Sa u shumëfishua prej vitit në vit? Si u zvogëluan patologjitë që trajtohen jashtë QKUK-së, por u rritën milionat e buxhetit publik për në Turqi?