6 perditesime
21:19

Hasani: Kosova vetizolohet nëse nuk përfshihet në “Ballkanin e Hapur”

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka vlerësuar se Kosova mund do të izolohet po që se mbetet i vetmi vend që nuk përfshihet në iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”.

Në një intervistë në emisionin “Desku” të KTV-së të enjten, Hasani ka thënë se pret që pas kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, edhe Bosnjë-Hercegovina shumë shpejtë të marrë drejtim nga kjo iniciativë, gjë që do të bëjë që Kosova të dalë qesharake si e vetmja rezistuese.

“Unë pres që edhe Bosnja shpejt të orientohet dhe të mbesim ne vetëm. Po ngelëm vetëm, dalim qesharak, sepse shtrohet çështja ‘si është e mundur që të të rrezikojë Serbia ndërkohë që i ke aty katër shtete që të kanë njohur. Gjukanoviqi nuk është përgjegjës për politikë të jashtme, ai nuk është pushtet. Kosova del keq në qoftë se tjerët bashkohen. Pasojat janë që vetizolohemi”, ka thënë ai.

Sipas Hasanit, nëse Kosova mbet vendi i vetëm në rajon që nuk pranon të bëhet pjesë e kësaj nisme, do të ketë probleme serioze të të bërit biznes me botën që e rrethon.

“Në qoftë se nuk ka një presion të madh ndaj Serbisë, që unë nuk shoh pse duhet të ketë prej Evropës dhe aleatëve tanë, kjo gjendje do të vazhdojë kështu dhe bashkëpunimi rajonal shkon me Kosovën duke mbetur ne anash”, ka shtuar ai.

Kjo nismë është themeluar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Ish-kreu i Kushtetueses ka folur edhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për çka nuk është shprehur optimist.

“Unë kam besuar që është bërë marrëveshje, sepse për t’u futur në Këshillin e Evropës, duhet të bëhet oferta. Unë kam besuar që është diskutuar, sepse është një hap që njeriu normal nuk e bën pa koordinim të plotë. Në qoftë se Franca është kundër, duhet ta harrojë çdokush mundësinë për hyrje në Këshillin e Evropës pa dashur ky vend anëtar. Prandaj, fakti që në Torino nuk është futur në rend dite, Serbia tani një vit ka afat të shkretojë, jo të lobojë”, ka thënë ai.

21:03

Hasani: Sipas Speciales, themeluesit e UÇK-së kishin qëllime ideologjike kriminale

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se Prokuroria Speciale në Hagë, është duke u përpjekur të dëshmojë se themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë pasur qëllime ideologjike për t’i shërbyer një qëllimi kriminal.

“Ata duan ta dëshmojnë, Prokuroria, organi i akuzës dëshiron ta dëshmojë që ata, të cilët e kanë themeluar UÇK-në, kanë pasur qëllime ideologjike të një provenience të caktuar për t’i shërbyer një qëllimi kriminal dhe s’ka qenë e rastit ajo çfarë ka ndodhur në kohën e formimit të UÇK-së, por është edhe më e hershme. Kjo është esenca, për t’i dhënë bazë ideologjike”, ka thënë Hasani të enjten, në emisionin “Desku” të KTV-së.

Për kohëzgjatjen e paraburgimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ku po mbahen që nga shtatori i vitit 2020, Hasani ka thënë se Specialja nuk është e sigurt në dëshmitarët e saj, prandaj edhe vazhdon t’i mbajë të ndaluar derisa “t’i sigurojë mirë provat”.

“Nuk i lëshojnë (Thaçin dhe të tjerët v.j.) në liri derisa t’i sigurojnë mirë provat. Ata si duket akoma nuk janë të sigurt në dëshmitarët e tyre. Në momentin që i sigurojnë provat për dëshmitarët, ajo është irelevante. Problemi më i madh në këtë gjykatë është që kjo mund të vazhdojë pafund, është e pamundur para së paku prej pesë vjetësh, që nga dita kur fillon gjykimi, të shohim se kryhet shkalla e parë. Ky është cenim i të drejtave për gjykim në kohë të arsyeshme”, ka thënë ai.

20:45

Hasani: Marrëveshja finale me Serbinë mund ta ndryshojë Kushtetutën

Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka thënë se marrëveshja finale me Serbinë mund të çojë në ndryshime kushtetuese.

Sipas tij, shumë vende të rajonit kanë pësuar ndryshime kushtetuese për çështje të caktuara.

“Në qoftë se ka prodhuar nevojë për ndryshime kushtetuese në Maqedoni, ose në Kroaci e Slloveni për disa çështje të caktuara kur janë futur në Evropë, pse s’duhet te ne?”, është shprehur Hasani të enjten në “Desku” të KTV-së.

Ai ka shtuar se kufiri në këto ndryshime do të duhej të ishte moslejimi i formimit të ndonjë organizmi që nuk do t’i nënshtrohej kontrollit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatë Supreme.

“Nuk duhet lejuar që të formohet një trup i cili nuk i nënshtrohet kontrollit”, ka deklaruar Hasani.

20:34

Hasani: Për të kryer punë me dialogun, Kurti duhet të ndajë pushtetin

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se nëse Qeveria Kurti dëshiron të mos ngecë me dialogun, duhet ta ndajë pushtetin me opozitën.

Hasani ka thënë tw enjten në “Desku” të KTV-së, se nëse nuk ndodh kjo, mund të shkohet vetëm në drejtim të kërkesave të Serbisë për prolongim.

“Nëse mendohet të kryhet punë, duhet të ndahet pushteti me tjetrin, nëse mendon me ngec dialogun dhe të shkosh në drejtim të kërkesave të Serbisë për prolongim, që janë jetike për Vuçiqin dhe pushtetin e tij personal, atëherë s’ka nevojë të vazhdohet me tema të brendshme të cilat kanë kufij, përfshirë edhe investimet”, ka thënë Hasani.

Ai ka shtuar se po të kishte legjitimitetin e Kurtit, do të bënte koncesione të brendshme, duke hapur debatin ku do të ekspozoheshin të gjitha alternativat për dialogun.

“Unë me sa po e shoh, në opozitë segmente të caktuara janë duke pritur sikur gjahtari qe e pret lepurin në pritë, për të krijuar kauzë të re, të ngjashme me demarkacion dhe të tjera që kanë ekzistuar në të kaluarën. Prandaj, po të isha në një legjitimimet të tillë politikë siç është z. Kurti, do të bëja koncesione të brendshme, në pozitë do të hapja debatin e brendshëm për t’i ekspozuar të gjitha alternativat se sa janë të sinqerta e sa nuk janë në çështjen e dialogut me Serbinë”, është shprehur Hasani.

20:31

Hasani: Lajçaku, prioritet e ka rrogën e tij

Profesori universitar Enver Hasani, deklaroi se emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk po i behet vonë për procesin negociues.

Sipas tij, Lajçak po interesohet vetëm për pagën e tij, e për proces nuk merr asnjë vërejtje.

“Lajçaku si ndërmjetësues po shihet qartë që edhe s'ka mandat. Por, rroga i ecën. Atij nuk i shkruhet minus sepse nuk është i pari që s'ka bërë asgjë si ndërmjetësues në emër të Evropës. Rroga i ecën, e ajo që ndodhë është sikur në një kohë Qiproja, siç ka pasur emisarë specialë, që nuk merret kush me ta. Dhe Kosova po bëhet si atraksion për funksionarë të lartë të Evropës”, deklaroi Hasani.

Ai theksoi se nëse Kosova nuk është kreative në gjetjen e zgjidhjes në raport me Serbinë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vetëm do ta shtyjë procesin.

“Çdo zvarritje e kthen Kosovën në një problem konflikti të ngrirë dhe mund të ketë dhunë, siç ka pasur në të kaluarën. Por, Vuçiqi, është e sigurt që perëndimorëve po iu bishtnon që sa më shumë ta zgjasin çështjen. Atij realisht nuk i bëhet vonë. Ekonomia e Serbisë nuk i vuan investimet e jashtme, ne i vuajmë të gjitha dhe faji është te Serbia. Kosova duhet të gjejë modalitet, e kjo bëhet kur të hapet një dialog i brendshëm mes të gjitha forcave”, shtoi ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese.

 

20:25

Hasani: Ushtria e Serbisë duhet debarbarizuar

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, deklaroi në DESK-un e KTV-së se ushtria e Serbisë duhet të debarbarizohet, në mënyrë që operojë si ushtri pa ideologji dhe nacionalizëm.

Hasani tha të enjten, se Serbia ka ushtri të madhe, por që debarbarizimi nënkupton që të mos i rrezikojë popujt tjerë, e të mos komandohet nga ideologjia e nacionalizmit.

“Ushtria serbe ka qenë një ushtri tipike barbare që ka bërë katastrofë në rajon. Ajo i ka trajnimet që i bëjnë për formatizimin e ushtrive sipas standardeve të NATO-s. Ne nuk kemi nevojë për shkak të kaluarës, por për shkak të ndërtimit nga fillimi të një ushtrie me standarde të NATO-s. Serbia ka nevojë së pari të deideologjizohet. Më pas ajo ka një ushtri që është bukur e madhe, ushtri e rregullt. Debarbarizimi nënkupton të bëhet një ushtri që nuk i rrezikon popujt tjerë, që nuk është ushtri ideologjike, që nuk komandohet nga ideologjia e nacionalizmit serb, të projektimit të forcës për zgjerim territorial”, deklaroi Hasani.

Ai potencoi se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, ndërsa tani duhet ta bëjë kontrollin civil të ushtrisë “që të mos jetë fiktiv siç është sot”.

“Sot Serbia formalisht ka kontroll civil, por në një rrethanë të caktuar të destabilitetit global, menjëherë merret nga politika nacionaliste. Prandaj, kjo duhet të ndryshojë në Serbi, e ky është qëllimi afatgjatë. Serbia është sulmuar prej NATO-s. Duhet një gjeneratë të ndërrohet, kërkon edhe pak vite, por orientimi i Serbisë është andej (kah debarbarizimi v.j.), tha profesori universitar.

 

21:04

Hasani: Serbisë po i ngushtohet laku për sanksionim të Rusisë

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, deklaroi se Serbisë po i ngushtohet laku për shkak të mosvënies së sanksioneve ndaj Rusisë, megjithëse sipas tij, ky nuk është shteti i vetëm i fuqishëm që e bënë këtë.

Hasani tha të enjten në DESK-un e KTV-së, se Turqia dhe India, ndonëse nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë, janë faktorë të rëndësishëm balancues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Serbisë gjithmonë e më shumë po i ngushtohet laku. Por për çështjen e mosvënies së sanksioneve, nuk është aleati i vetëm. Shembull, një e kemi Turqinë që është në NATO, që është aleat megastrategjik i perëndimit, dhe e kemi Indinë që është faktor jashtëzakonisht i fuqishëm balancues i SHBA-së. Serbia po shihet qartë që i ka dhënë garanci perëndimit dhe po i mban. Nëse llogaritet plusi dhe minusi i politikës së jashtme serbe, pak ka gjasa që Serbia të hyjë në një aventurë të prishjes të asaj që quhet ‘siguri e fortë’ në Ballkan”, deklaroi Hasani.

Ai shtoi se Rusia në këtë situatë nuk mund të mbështesë Serbinë, duke theksuar se Serbia është kalkulim racional i një pushtetari “i cili e di deri ku shtrihen limitet edhe të Rusisë, edhe të politikave të saj”.

“Unë besoj se pushtimi rus i ka shpërfaqur dobësitë dhe anët pozitive. Ka treguar kush është aleat dhe sa. Ky, pra intensiteti, ka rëndësi në rajon dhe i ka shpërfaqur fuqitë e atyre që potencialisht mund të jenë pro Rusisë në Ballkan. Përtej kësaj Serbia nuk shkon. Atje (në Ukrainë v.j.) po mbrohet rendi ndërkombëtar që bazohet në rregulla të sistemit perëndimor liberal”, deklaroi Hasani.