Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, deklaroi se Serbisë po i ngushtohet laku për shkak të mosvënies së sanksioneve ndaj Rusisë, megjithëse sipas tij, ky nuk është shteti i vetëm i fuqishëm që e bënë këtë.
Hasani tha të enjten në DESK-un e KTV-së, se Turqia dhe India, ndonëse nuk i kanë vendosur sanksione Rusisë, janë faktorë të rëndësishëm balancues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Serbisë gjithmonë e më shumë po i ngushtohet laku. Por për çështjen e mosvënies së sanksioneve, nuk është aleati i vetëm. Shembull, një e kemi Turqinë që është në NATO, që është aleat megastrategjik i perëndimit, dhe e kemi Indinë që është faktor jashtëzakonisht i fuqishëm balancues i SHBA-së. Serbia po shihet qartë që i ka dhënë garanci perëndimit dhe po i mban. Nëse llogaritet plusi dhe minusi i politikës së jashtme serbe, pak ka gjasa që Serbia të hyjë në një aventurë të prishjes të asaj që quhet ‘siguri e fortë’ në Ballkan”, deklaroi Hasani.
Ai shtoi se Rusia në këtë situatë nuk mund të mbështesë Serbinë, duke theksuar se Serbia është kalkulim racional i një pushtetari “i cili e di deri ku shtrihen limitet edhe të Rusisë, edhe të politikave të saj”.
“Unë besoj se pushtimi rus i ka shpërfaqur dobësitë dhe anët pozitive. Ka treguar kush është aleat dhe sa. Ky, pra intensiteti, ka rëndësi në rajon dhe i ka shpërfaqur fuqitë e atyre që potencialisht mund të jenë pro Rusisë në Ballkan. Përtej kësaj Serbia nuk shkon. Atje (në Ukrainë v.j.) po mbrohet rendi ndërkombëtar që bazohet në rregulla të sistemit perëndimor liberal”, deklaroi Hasani.