Arbëri

Deri në 10 muaj lista e pritjes për rezonancën magnetike në QKUK

Descriptive Text

Lista e pritjes për një rezonancë magnetike në Qendrën Klinike, Universitare të Kosovës, është zgjatur deri në dhjetë muaj, por kryesisht në pritje janë pacientët ambulatorë.

Kështu ka bërë të ditur drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza, e cila tha se ndonëse ka tre javë që e ka marrë detyrën, është duke punuar në rishikim të kësaj liste, raporton KosovaPress.

Nuza tha se arsyeja e këtyre pritjeve të gjata, janë kërkesat e shumta që adresohen nga të gjitha nivelet duke filluar nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe deri te klinicistët.

“Lista e pritjes ekziston, ka ekzistuar dhe do të ekzistojë në shumicën e kohës, për arsye se ka kërkesa të shumta prej të gjitha niveleve të mjekëve prej mjekut familjar e deri tek klinicistat. Listat e pritjes ka vetëm për pacientët ambulatorë, nuk ka për pacientë e hospitalizuar për arsye se është vendimi i klinicistit dhe bënë përzgjedhjen dhe ka orarin e caktuar që dërgon pacientin për incizim në rezonancë magnetike. Pacientët ambulatorë, kam vetëm java e tretë që kam filluar punën si menaxhuese e Klinikës së Radiologjisë është diku në 10 muaj dhe jemi në rishikim të listave”, tha Nuza.

Drejtoresha e Klinikës së Radiologjisë, Shkëndije Nuza po ashtu u shpreh se në rezonancën magnetike po punohet çdo ditë të javës në një orar 12 orësh.

“Për momentin punojmë stafi i angazhuar pavarësisht që ekziston koha e pushimeve vjetore për arsye të mos shfrytëzimit të pushimeve kemi pak pengesa në organizim, por në përgjithësi stafi është komplet i angazhuar, nuk është mbyllur asnjë shërbim, janë të organizuara komplet shërbimet, punohet me rezonancën magnetike 12 orë çdo ditë të javës”, theksoi Nuza./KSP