Arbëri

Nishani kujtohet si personalitet i rrallë në politikën shqiptare

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, është kujtuar si personalitet i rrallë në politikën shqiptare. Të shtunën, u dha lajmi për vdekjen e tij në një spital të Gjermanisë, pas komplikimeve shëndetësore si pasojë e COVID-19.

Liderë shtetërorë në Shqipëri e Kosovë e kanë kujtuar si politikan me integritet të lartë e si lider i paharrueshëm.

“Me trishtim dhe hidhërim të thellë mora lajmin e largimit nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe! Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion. Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt. I paharruar kujtimi i President Nishanit! Të prehet në paqen e merituar!” ka shkruar presidenti Ilir Meta në Facebook.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kujtuar Nishanin si përkrahës të madh të Kosovës.

“Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën parreshtur, deri në frymën e fundit. Ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Facebook i ka shprehur ngushëllime familjes me mesazhin e shkurtër “U prehtë në paqe!”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Nishani do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër.

“Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar. Me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës, dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo. I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij. Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në kujtimin për Nishanin ka thënë se ai ishte ikonë e vlerave më të larta morale të njeriut, ndershmërisë, atdhetarisë dhe përkushtimit.

“Ai ishte burrështetasi i shquar, që përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë dhe urtësi në arenën ndërkombëtare duke i dhënë nder dhe vlerë institucionit të presidentit, shtetit dhe qytetarëve shqiptarë”, ka shkruar ndër tjerash Berisha që e ka quajtur Nishanin si një prej bashkëpunëtorëve më të afërt.

Nishani u zgjodh deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë më 2005. Më 2012 ai u zgjodh president. Postin e mbajti për 5 vjet.

Pas përfundimit të mandatit Nishani u rikthye sërish në Partinë Demokratike duke mbajtur detyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar.

Ka lënë pas gruan e tij dhe dy fëmijë.