Arbëri

PD-ja dërgon në Parlament rezolutën për dënimin e masakrës dhe gjenocidit serb në Kosovë

Enkelejd Alibeaj, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe përkrahësit e Lulzim Bashës kanë dërguar në Parlament një rezolutë për dënimin e masakrës dhe gjenocidit serb në Kosovë. Kjo ndodh pikërisht pas rrëzimit të rezolutës që u depozitua në Kuvend nga Sali Berisha dhe përkrahësit e tij, për dënimin e masakrës së Srebrenicës dhe rrëzimin e kësaj kërkese nga deputetët e partisë në pushtet.

Bëhet e ditur se rezoluta e Alibeajt dhe përkrahësve të tij është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë. Projekt-rezoluta thekson dhe përdor termin “gjenocid” për dhunën e kryer nga forcat serbe në territorin e Kosovës. Materiali bazohet në raportin e Reporterit Special të OKB-së A/53/322 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dt. 11.09.1998, për vrasjet dhe ekzekutimet e banorëve shqiptarë në vendbanimet e tyre dhe numrin e madh të të dëbuarve; sikundër dhe në deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Sesionin e 53-të të Komisionit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, të datës 9 korrik 1999, për fundshekullin e 20-të “nën retë e zeza të gjenocidit”, e që karakterizohet edhe nga “fushata e spastrimit etnik të kryer nga autoritetet serbe në Kosovë, që duket se ka vetëm një qëllim: të dëbojë nga Kosova ose të vrasë sa më shumë shqiptarë etnikë, duke i mohuar të drejtat themelore për jetën, lirinë dhe sigurinë”.

Rezoluta u referohet krimeve të kryera nga forcat serbe përmes një fushate të planifikuar dhe të institucionalizuar në rang shtetëror me qëllim zhdukjen e shqiptarëve dhe ndryshimin e dhunshëm të përbërjes etnike, që rezultoi me dëbimin e rreth 1 milion personave (shoqëruar me konfiskimin e dokumenteve të identitetit, automjeteve apo çdo lloji tjetër me qëllim shkatërrimin e dëshmive për identitetin dhe përkatësinë e tyre shtetërore), vrasjen e rreth 12 mijë civilëve të pambrojtur nga të gjitha etnitë, mes të cilëve 1.392 fëmijë dhe 1.739 gra.

Gjithashtu, në bazën e saj janë 100 masakrat kolektive të evidentuara ndaj popullsisë civile në Kosovë, kryesisht shqiptarë, me shkatërrime të vendbanimeve dhe shtëpive në shumë qytete e fshatra në territorin e Kosovës; duke pasur parasysh tmerret e këtyre akteve brutale ndër të cilat përfshihen djegien e gjallë në prani të të familjarëve, vrasjen mizore të fëmijëve, grave dhe të moshuarve si në Likoshan, ku nga 28 shkurti deri në 1 mars 1998 pati 24 viktima civile.

“Kërkon nga të gjitha institucionet shtetërore shqiptare që të angazhohen në mënyrë maksimale për të evidentuar dhe kërkuar zbardhjen e plotë e asaj që ka ndodhur në Kosovë dhe sigurimin e përkrahjes politike dhe jo vetëm për Qeverinë e Kosovës në përpjekjen e saj për t’i zbardhur ngjarjet”, thuhet ndër të tjera në përmbajtjen e projekt-rezolutës.

Kuvendi i Republikës Shqipërisë ka rrëzuar rezolutën e iniciuar nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe një grup deputetësh të Komisionit të Rithemelimit, për ta dënuar gjenocidin serb në Bosnjë.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka kërkuar rihapje të çështjes së thyerjes së embargos nga Shqipëria, në vitin 1995 duke thënë se Sali Berisha duhet të mbajë përgjegjësi e “nuk duhet te jetë në këtë sallë”.

Të njëjtin fat mund ta ketë edhe rezoluta e tashme, meqë sipas shumicës parlamentare, në Kuvendin e Shqipërisë ekzistojnë 11 rezoluta që dënojnë gjenocidin serb në Kosovë.

Sipas shumicës socialiste, çështja e të pagjeturve duhet të marrë më shumë vëmendje.