Arbëri

Velipoja premton pastërti dhe siguri më të madhe

 

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahija, ka thënë se sivjet plazhi i Velipojës do të jetë më i pastër dhe do të ketë siguri më të madhe për turistët që zgjedhin t’i kalojnë pushimet aty. Sipas Spahijës, turistët kosovarë zënë vendin e parë në Velipojë e Shkodër.

“Numri i turistëve ka rënë gjatë viteve pandemike. Por kemi parë rritje të këtyre shifrave vitin e kaluar. Parashikohet të ketë rritje të numrit të turistëve që do ta frekuentojnë plazhin e Velipojës. Ne e kemi rregulluar trajtimin e ujërave të zeza nëpërmjet ndërtimit të impiantit. Është një bregdet që konsiderohet jashtëzakonisht i pastër. Këtë vit, ne kemi përshpejtuar me një muaj e gjysmë, pastrimin e ambienteve të Velipojës. Ne si prioritet e kemi garantimin e sigurisë së qytetarëve që zgjedhin Velipojën për t’i kaluar pushimet. Kemi pas një mbledhje të një grupi pune në mënyrë që të sigurohemi, jo vetëm të garantojmë pasjen e hapësirave publike, por edhe mbrojtjen dhe krijimin e kushteve të duhura vrojtuesve të plazheve, t’u garantojmë vetëqëndrimet e duhura tyre. Me shërbimet shëndetësore kemi biseduar, që të garantojnë në ofrimin e ndihmës ndaj qytetarit në kohë më të shpejtë”, ka thënë Spahija në “60 Minuta” të KTV-së.