Arbëri

SHBA-ja i përgjigjet Rusisë, publikon faktet për masakrën e Reçakut

Descriptive Text

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, i ka reaguar deklaratave mohuese që kanë ardhur nga Rusia për masakrën në Reçak të Kosovës dhe krimet në Bucha tash së fundmi në Ukrainë.

Hovenier shkroi në Twitter se mohimi i historisë së dokumentuar për Reçakun çnderon kujtimin për të vdekurit, teksa ka shtuar disa dokumente të organizatave evropiane që faktuan masakrën e Reçakut.

“Përpjekjet për të rishkruar dhe mohuar historinë e mirë-dokumentuar të masakrës së Reçakut lartësojnë krimet e luftës, çnderojnë kujtimin e të vdekurve dhe rihapin plagët e të mbijetuarve. Ata që mohojnë mizoritë në Reçak kërkojnë të pengojnë përparimin drejt pajtimit rajonal, konsolidimit demokratik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, shkroi ai të premten.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, akuzoi të enjten SHBA-në për atë që po ndodh në Ukrainë dhe krimet atje i ka lidhur me Kosovën. Krimet në Bucha janë trillime, tha ai, dhe se ato ngjajnë me atë që ka ndodhur në fshatin Reçak më 1999, kur forcat serbe vranë dhjetëra civilë.

Lavrov tha se si në Bucha ashtu edhe në Reçak nuk pati krime.

45 civilë u vranë nga forcat serbe në Reçak, ndërkohë emërimi i këtij krimi të tmerrshëm si gjenocid nga ish-kryesuesi i OSBE-së, William Walker, bëri që NATO-ja të ndërhynte për të ndalur krime të tjera të Serbisë.

Në Bucha të Ukrainës, forcat ruse kanë vrarë shumë ukrainas dhe kufomat e tyre janë gjetur veç pas largimit të rusëve.

As Rusia dhe as Serbia nuk i pranojnë asnjë nga krimet.