2 perditesime
21:29

Ramosaj: Zgjidhja e krizës, indeksimi i pagave

Profesori i Ekonomisë, Berim Ramosaj, deklaroi se zgjidhja e krizës ekonomike në Kosovë mund të bëhet nëpërmjet tri metodave, ndër to është indeksimi i pagave.

Ai deklaroi në DESK-un e KTV-së se indeksimi i pagave në sektorin publik, do të bëhej duke i rritur pagat aq sa është shkalla e inflacionit. Njëjtë sipas tij, duhet të vepronte edhe sektori privat.

“Kjo është forma më direkte e ndërhyrjes së shtetit. Kriza i ka prekur qytetarët më të rëndomtë. Masa e dytë është të subvencionohen produktet e shportës familjare. Masa e tretë është politika e taksave dhe tatimeve. Pra, të gjitha çmimet e produkteve që e rëndojnë jetën, t’iu zvogëlohet dogana e akciza. Të gjitha format që i përdor shtetit janë tatimore dhe jotatimore”, tha Ramosaj.

Profesori i ekonomisë potencoi se pavarësisht masave në ekonomi, rezultat nuk do të jenë të menjëhershme, pasi siç u shpreh ai, efektet ekonomike “janë zinxhirore”.

“Sot jemi dëshmitarë të një situate të tillë ekonomike, por është e ngjashme edhe në vendet e rajonit. Ka mungesë të produkteve, sidomos atyre bazike, drithërat e ushqimet, mungesë energjie. E rëndësishme është rritja enorme e çmimeve të disa produkteve që vijnë nga ato burime ku ekzistojnë vatrat e luftës”, deklaroi ai.

Sipas Ramosajt, dy faktorë kryesorë të krizës ekonomike në botë janë pandemia dhe lufta në Ukrainë.

 

21:00

Ramosaj: Ndarja e 100 eurove, formë antishtetërore

Profesori i Ekonomisë, Berim Ramosaj, ka thënë se ndarja prej 100 eurove për qytetarët e Kosovës nga ana e Qeverisë, është formë antishtetërore.

I ftuar në emisionin Desku të KTV-së, Ramosaj ka thënë se kjo formë, që e ka quajtur edhe jopolitike dhe joinstitucionale, bëhet nga institucionet bamirëse dhe jo nga shteti.

Sipas tij, Qeveria do të duhej të zgjedhë politika sociale apo të ndërtojë program të rimëkëmbjes ekonomike, që nënkupton rritjen e pagave dhe pensioneve.

“Forma të tilla bëjnë vetëm institucionet bamirëse jo shteti, shteti duhet të zgjedhë politika sociale, ose të ndërtojë një program të rimëkëmbjes ekonomike që ka kuptimin e rritjes së pagave e pensioneve, ose indeksimin e tyre. Madje, ka mundësi që Qeveria në këto situata të prodhojë një ligj që ka kufirin e zbatimit në aspektin e rimëkëmbjes ekonomike, që nënkupton subvencionimin e produkteve për tre vite, jo më shumë, për të mos ju dhënë prodhuesve liri aq të madhe që të marrin sigurt mjete dhe të mos luftojnë sepse bie konkurrenca”, ka thënë ai.


Ramosaj: Nuk po shoh rezultat nga kjo Qeveri për Ligjin e Pagave

Sa i përket Ligjit të Pagave, Ramosaj ka thënë se duhet të bëhet analizë dhe të shihen edhe praktikat nga shtetet tjera që kanë ligj të ngjashëm.

“Ligji i Pagave është bërë mollë sherri edhe për qeveritë e kaluara. Propozimi i parë që ishte që ka pasur bazën më duke te Kroacia, kam informacione të sakta që ai ligj ka qenë i mirë por ka pasur ndërhyrje nga vullnetet individuale dhe mundësitë për të blerë vota në Kuvend, më pas ai ligj ra dhe u bastardua. Vlerësimi i punëtorëve bëhet duke u mbështetur nga oferta dhe kërkesa, niveli i zhvillimit ekonomik, kontratat kolektive. Duke u bazuar në këto tre komponent, ligji i pagave pa u bërë analizë ose pa u parë nga një shtet që ka ligj të ngjashëm, është gabim trashanik”, ka thënë ai.

Sipas Ramosajt, nga qeverisja aktuale nuk është duke u parë asnjë rezultat sa i përket jetësimit të këtij ligji.

“Kur është në pyetje Ligji i Pagave, të gjitha kërkesat qoftë emergjente, qoftë në formë të peticioneve apo me anë të grevave, janë të arsyeshme pasi që forma e tanishme e pagesave është jonormale. Ligjit të Pagave ka nevojë t’i jepet shansi, por nuk po shoh rezultat nga kjo Qeveri”, ka thënë ai.

20:34

Ramosaj: Tërheqja e trustit nuk është terapia e duhur

Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj ka thënë se tërheqja e mjeteve nga Trusti Pensional siç po kërkohet nga opozita, nuk është terapia e duhur për kauzat të cilat po ngritën për këtë qëllim.

Ramosaj ka thënë në “Desku” të KTV-së të enjten se tërheqja e këtyre mjeteve e rrit potencialin konsumues por që kjo sipas tij nuk është zgjidhje afatgjatë.

Ai ka kërkuar që të mos bëhet politikë me ndjenjat e qytetarëve, teksa ka shtuar se futja në qarkullim në treg të mjeteve të trustit, do të ndikonte në rritje edhe më tutje të inflacionit.

“Nëse e shikojmë anën sociale, tërheqja e këtyre mjeteve rrit potencialin konsumues, shton sasinë e parave në qarkullim mirëpo kjo është një zgjidhje shumë afatshkurtër që njihet si “shok terapi”. Në aspektin social shikohet edhe në aspektin e mënyrës së ndërtimit të këtij fondi i cili është ndërtuar me qëllim që të sigurohet për aq sa është e mundur mbijetesa e kontributdhënësve pas moshës 65 vjeçare. Zvogëlimi i këtyre mjeteve i qet ata në një pozitë të vështirë afatgjatë. Mua më befasojnë zëra të ekspertëve të fushës që po mundohen të ndërtojnë kauza të paqena. Kauza është e tipit të tillë që vërtetë është një varfëri e lartë, shkallë e lartë e inflacionit mirëpo nxjerrja e mjeteve nga fondi nuk është terapia. Terapinë duhet ta zgjedh shteti në forma të tjera. Nuk bëhet politikë me ndjenjat e qytetarit”, ka thënë Ramosaj.

Sipas tij, në këtë situatë kur ngritja e çmimeve po vazhdon terapi do të ishin masat e politikës tatimore, të formave të ndryshme të financimit të produkteve esenciale.

Ramosaj ka thënë se tërheqja e parave nga trusti nuk do ta zbuste gjendjen e qytetarëve pasi siç ka thënë, sipas Bankës Botërore nuk ka shancë të ndodhë rënia e çmimeve para fillimit të vitit 2025.