Besnik Boletini nga Organizata “Çohu” deklaroi se shitblerja e temave të diplomës në Universitetin e Prishtinës, është shqetësuese.
Deri më tash, sipas tij, janë arrestuar dy persona, por “pazari” po vazhdon.
Ai deklaroi në emisionin “Sonte me Rronin” të mërkurën, se shitblerja e temave të diplomës vazhdon edhe sot e kësaj dite, e për këtë sipas tij, fajtorë kryesorë janë profesorët.
“Gjetjet janë shqetësuese. Secili student ka qasje te shitësit e temave të diplomës. Fatkeqësia është që një pjesë e studentëve, edhe pse i kryejnë tri vjet studime, nuk janë të gatshëm ta shkruajnë një temë të diplomës. Më ka rastisur të rri me studentë që më kanë treguar se tema e njëjtë (e diplomës v.j.), ka shkuar 3-4 herë të profesori. Profesorët janë paguar shtesë për secilën temë. Kjo ka bërë që një profesor në vit t’i ketë rreth 400 tema, e nga kjo 10 mijë shtesë vetëm nga temat”, shtoi Boletini.
Profesori universitar, Blerim Rexha, potencoi se studentët e gjejnë formën më të lehtë e më të lirë për ta përfunduar temën e diplomës, ndërsa fajtorë sipas tij janë profesorët dhe mentorët, që duhet ta monitorojnë studentin në vazhdimësi deri në përfundim të temës.
“Unë e shoh mungesën e monitorimit nga mentori. Ky është turp i përbashkët i shoqërisë. Universiteti i Prishtinës konsiderohet elitar, e unë e bëj pyetjen se ku janë të tjerat (institucionet e tjera arsimore v.j.). Ne po e shohim vetëm majën e ‘icebergut’, e situata është shumë më keq në institucionet e tjera, publike e private”, shtoi Rexha.
Ai theksoi se në Fakultetin Teknik, studentët janë vetëdijesuar që nuk iu duhet më vetëm një diplomë si letër, pasi punësimin mund ta arrijnë edhe pa të.
“Edhe në Universitetin e Prishtinës, por edhe besoj edhe në krejt institucionet e arsimit të lartë, duhet që temat të mos na riciklohen, por të jenë punë e studentit”, tha Rexha.