Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka thënë se konsumatorët në vend nuk do të dëmtohen nga procesi i faturimit të rrymës elektrike, pas vendimit të Gjykatës së Apelit për pezullim të vendimit për vendosjen e tarifave të reja.
Në një sqarim për media, ZRRE-ja ka thënë të mërkurën se vendimi është vetëm shtyrje e zbatimit për vendosjen e tarifave, dhe jo anulim i tarifave.
“Për më tepër shqyrtimi meritor akoma nuk ka filluar nga Gjykata Themelore lidhur me vendimin për tarifat me pakicë. Prandaj, përderisa ende nuk ka ndonjë verdikt final të çështjes meritore nga gjykata, ZRRE fton të gjitha palët e interesit, që të përmbahen nga deklarimet e pamatura dhe të bëhen pjesë konstruktive e tejkalimit të krizës së energjisë. ZRRE informon publikun se është duke i respektuar aktvendimet e Gjykatave të Republikës së Kosovës dhe bazuar në aktvendimin e gjykatës ka nxjerrë vendim për zbatim të këtij aktvendimi, e të cilin ia ka dërguar të licencuarit për zbatim. Duke marrë parasysh paqartësitë rreth implementimit të vendimit të ngritura edhe nga Furnizuesi me Shërbim Universal lidhur me faturimin, ZRRE i është drejtuar Gjykatës Supreme për mendimin juridik, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Themelore dhe Këshillit Gjyqësor duke kërkuar udhëzime lidhur me mënyrën e zbatimit të vendimit të Gjykatës”, thuhet në njoftim në të cilin “ZRRE-ja siguron të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike se nuk do të dëmtohen nga procesi i faturimit të energjisë elektrike”.
Pas krizës energjetike botërore, në shkurt ZRRE-ja pati vendosur një bllok tarifë me të cilën shtrenjtohej rryma që kalonte 800megavatëshin. Qeveria pati ndarë mbi 100 milionë euro për të ndihmuar në kalimin e krizës.
Pas ankesës së PDK-së, Gjykata Themelore vendosi për pezullim të vendimit, por ZRRE-ja nuk e përfilli teksa e çoi rastin në Apel. Apeli javën e shkuar vendosi të vërtetonte vendimin për pezullim.