Arbëri

Spanja ofron pushim për ciklin menstrual, Skocia produkte menstruale falas, Kosova kërkon heqje të tatimit për to

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka lansuar të martën fushatën përmes së cilës kërkon heqjen e taksave për produktet menstruale.

Sipas RrGK-së, aktualisht produktet menstruale në Kosovë tatohen me 18% të vlerës së tyre, njësoj sikurse edhe produktet e luksit.

“Ekziston edhe një tjetër taksë mbi vlerën e shtuar prej 8% për produktet esenciale, siç janë ato farmaceutike. Mirëpo, produktet menstruale nuk tatohen as me këtë taksë, e cila megjithatë do të zvogëlonte çmimin e tyre. Ato po vazhdojnë të tatohen sikur të ishin produkte luksi, e jo esenciale, ashtu siç edhe janë për gratë dhe vajzat dhe mirëqenien e tyre e të drejtën e tyre për kujdes shëndetësor të përballueshëm”, thuhet në komunikatën për media të RrGK-së.

Sipas kësaj organizate, ndër rekomandimet kryesore të RrGK-së, është që Qeveria e Kosovës të ndryshojë Ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, e bashkë me të t’i ndryshojë edhe instruksionet administrative për zbatimin e tij.

“Ashtu që produktet menstruale të lirohen nga pagesa e doganës dhe nga taksimi”, thuhet në komunikatë.

Në fakt, shumë shtete kanë politika favorizuese për gratë në lidhje me ciklet menstruale.

Në Spanjë është aprovuar para pak ditësh që grave t’u jepen 3 ditë pushim në muaj për të përballuar më lehtë këtë fazë, ndërkohë që në Skoci, gratë mund të marrin falas produkte menstruale.