Arbëri

Avokati i Popullit: Vendimi i ZRRE-së për blloktarifa diskriminues, duhet kthyer në pikën zero

Avokati i Popullit e ka vlerësuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për vendosjen e blloktarifave si diskriminues dhe thotë se duhet kthyer ky vendim në pikën zero.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka vlerësuar se janë shkelur disa ligje me vendimin e ZRRE-së e po ashtu edhe të drejtat e qytetarëve.

Vendimi i ZRRE-së është pezulluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërsa vendimin e Themelores e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

“Avokati i Popullit ka hetuar vendimin e ZRRE-së, me qëllim për të parë nëse është në përputhje me ligjet e Kosovës dhe nëse janë respektuar të drejtat e liritë e njeriut. Hetimi është bërë në shumë aspekte. Fillimisht në aspektin ligjor, për të parë a ka bazë vendosja e blloktarifës. Nga hulumtimi që kemi bërë për mua të tërë kemi rezultuar me përfundim se një vendim i tillë nuk ka mbështetje ligjore”, ka thënë Qelaj në intervistë për emisionin “60 Minuta” në KTV.

Ai ka shtuar se vet blloktarifa nuk është e paraparë në mënyrë decidive me ligj, e po ashtu edhe arsyet e paraqitura nga ZRRE-ja, si mungesa e energjisë dhe shtrenjtimi i çmimit në treg ndërkombëtar, nuk janë të pranueshme.

“Po ashtu kemi konsideruar se vendimi i ZRRE-së, mbi bazën e asaj se si është marrë vendimi, është në kundërshtim edhe me ligjin e rregullatorit të energjisë elektrike, ligjin për mbrojtje nga diskriminimi dhe me vetë parimet në të cilat është ndërtuar sistemi ynë juridik”, tha Qelaj.

Ai ka thënë se vendosja e blloktarifave është shumë e rrallë nëpër botë dhe edhe kur vendoset duhet të ketë arsye të dukshme ligjore.

“Në rastin konkret nuk kishte. Paaftësia e shtetit për të siguruar energji elektrike të mjaftueshme dhe po ashtu rritje e çmimeve në treg global, nuk është bazë e arsyeshme për të trajtuar qytetarët në mënyrë jo të barabartë”, tha Qelaj.

Ai ka thënë se blloktarifa është diskriminuese, por edhe fakti i mosparaqitjes së shumës së subvencionimit nga shteti nëpër fatura.

“Askush nga qytetarët nuk e di se sa është subvencionuar nga Qeveria”, tha Qelaj, ndërsa tha diskriminim ka qenë edhe faturimi retrokativ me çmime të reja.

Qelaj ka thënë se mosfaturimi i energjisë për banorët në veri të Kosovës është padyshim diskriminim dhe se e ka thënë këtë edhe gjykata.

Ai ka shtuar se është në rregull nëse Qeveria vendos të paguajë energji për një grup të qytetarëve, si shembull shtresat e varfra. Por se assesi nuk duhet të veprohet duke mosfaturuar.

Qelaj është i bindur se gjykata do të përmbysë atë vendim dhe se qytetarët do të kompensohen për faturat e fryra që i kanë paguar shkaku i mosfaturimit të faturave të energjisë për qytetarët e veriut.

“Nuk do të jenë shumë të mëdha që ndikojnë në jetën e qytetarëve. Në total do të jenë afro 40 milionë euro në krejt Kosovën, por me rëndësi që drejtësia të vihet në vend”, tha Qelaj.

Qelaj ka thënë se rasti i fundit duhet të jetë sinjal alarmi për autoritetet.