Arbëri

Pas protestës së sektorit publik, Demi tregon pabarazitë me të cilat përballet sektori privat

Analisti politik në Institutin GAP, Agron Demi, nëpërmjet një grafike të publikuar në Facebook, ka nxjerrë në pah pabarazitë mes kushteve të punëtorëve në sektorin publik dhe atij privat.

Përderisa të premten sindikatat e punëtorëve të sektorit publik protestuan në shesh duke kërkuar nga 100 euro shtesa çdo muaj deri në miratimin e ligjit për paga, ata në sektorin privat kanë paga përgjysmë më të ulëta, sipas Demit.

Të premten, si pasojë e protestës, në të cilën mori pjesë edhe sindikata e arsimit, nuk u zhvillua procesi mësimor në vend.

“Pagat në sektorin privat janë përgjysmë më të ulëta se sa mesatarja e pagave në sektorin publik dhe ndërmarrje publike. Por, derisa sektori privat nuk bën zá dhe i paguan pagat e sektorit publik, publiku ta bllokon shtetin nëse nuk ua rrit pagat edhe për së paku 100 euro në muaj”, ka shkruar ai për protestën.

Teksa është shprehur për që të rriten pagat në sektorin publik, Demi ka thënë se paralel kësaj duhet të përgjysmohet numri i ulëseve në Kuvend të Kosovës e kuvende komunale, të shuhen disa komuna e të ketë reformë në arsim e shërbime publike.

“Edhe unë jam për me i rritë pagat në sektorin publik. Por, paralel me këtë duhet me: përgjysmu numrin e ulëseve në Kuvend të Kosovës e kuvende komunale; me i shu disa komuna që munden me u zëvendësu me një e-kioskë; me i mbyllë gjysmën e shkollave që kanë nxënës që i numëron në gishta të dorës e me i pushu nga puna mësimdhënësit e tepërt e të cilët nuk e kalojnë një test bazik shkrim-leximi. me i dixhitalizu shërbimet publike dhe me i largu gjysmën e badihavgjive nëpër ofiqari. Atëherë edhe unë dal në protestë me ua dyfishu rrogat”, ka shkruar Demi.

Image