Arbëri

Dry shkollave e mësimdhënësit në rrugë

BSPK-ja ka protestuar me kërkesën që Qeveria ta hartojë dhe ta miratojë sa më shpejt Ligjin e Pagave. Për pjesëmarrje në këtë protestë, SBASHK-u ftoi mësimdhënësit ta bojkotojnë punën. Për pasojë, shumicës së shkollave iu vu dryni të premten. Ky veprim mori kritika edhe nga mësimdhënësit, disa nga të cilët nuk e përfillen thirrjen e SBASHK-ut, për të cilën thanë të jetë e motivuar politikisht

E vetme nga i gjithë personeli i shkollës fillore “Dardania” në Prishtinë, mësimdhënësja Elena Stublla mbajti mësimin duke refuzuar që t’i bashkohej protestës së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

E premtja në të gjithë Kosovën nuk ishte ditë mësimi për nxënësit, meqë mësuesit vendosën që përparësi t’u japin nevojave të tyre. Ata me një vendim të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) bojkotuan mësimdhënien për t’u bërë pjesë e një proteste, që në thelb kërkesë nuk e kishte rritjen e cilësisë në arsim, por atë të pagës.

Ky vendim i SBASHK-ut për mësuesen Stublla ishte i ndikueshëm politikisht dhe se nuk përfaqësonte nevojat e mësimdhënësve.

“Asnjëherë nuk i kanë mbrojtur mësimdhënësit. Është legjitime të protestosh, por jo të përdorësh si vegël për çështje politike”, ka thënë ajo për Sindikatën.

Për të e edhe për prindërit, sistemi arsimor ka probleme edhe më bazike për të cilat duhet protestuar, para kërkesave për rritje të pagave.

Në një reagim nga Këshilli i Prindërve të Kosovës thuhet se nxënësit dhe prindërit po paguajnë faturën e inateve mes Qeverisë e SBASHK-ut.

“Ne si prindër, bashkë me fëmijët tanë, jemi pala e vetme e dëmtuar në këtë proces dhe pa mjete ligjore për të mbrojtur të drejtat tona kushtetuese”, është thënë në reagimin e prindërve.

Ani se nga programi ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve PISA, disa herë Kosova ka dalë gati në vendin e fundit, SBASHK-u ka kundërshtuar secilën nismë për vlerësim të mësimdhënësve.

Se fëmijët janë duke pësuar nga këto veprime të SBASHK-ut, ka konstatuar edhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili ka dalë kundër ndërprerjes së mësimit. Në KOMF thanë se nuk i kontestojnë arsyet apo qëllimet e protestës, porse konsiderojnë se ndërprerjet e përsëritura të procesit të rregullt mësimor janë në kundërshtim me të drejtën themelore të fëmijës në arsim dhe në kundërshtim me interesin në të mirë të fëmijëve.

“Situata e arsimit në Kosovë është rënduar ndjeshëm viteve të fundit, për pasojë KOMF konsideron se ndërprerja e procesit mësimor do të përkeqësojë edhe më tej gjendjen e fëmijëve dhe zhvillimin e tyre”, kanë thënë në Koalicionin për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Përveç se për nxënësit, protestat dhe grevat janë cilësuar të dëmshme edhe për mësimdhënësit.

Mësuesja Elena Stublla ka thënë se kërkesat nuk kanë qenë të strukturuara mirë dhe se personat aktualë që udhëheqin SBASHK-un nuk përfaqësojnë mësimdhënësit.

“Historikisht, protestat dhe grevat janë politikisht të organizuara dhe gjithmonë në dëm të mësimdhënësve”, ka thënë ajo. “Jam e vetëdijshme që nuk mund t’ia dalë një mësimdhënës me pagat që ka. Por kërkesat nuk janë të strukturuara mirë”.

Pavarësisht këtyre reagimeve, mësimdhënësit bashkë me një numër të madh të punëtorëve nga sektorë të tjerë publikë, në mes të ditës, u mblodhën në sheshet e Prishtinës. Në një pankartë që i paraprinte rreshtit të gjatë të sindikalistëve, shkruhej qartë se greva e përgjithshme do të jetë pasojë e mospërmbushjes së kërkesave të tyre.

Kërkesa kryesore në këtë protestë ishte që Qeveria ta hartojë dhe ta miratojë sa më parë Ligjin e Pagave.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, kritikoi kryeministrin Albin Kurti dhe heshtjen e Qeverisë ndaj kësaj proteste dhe i ftoi që të dialogojnë me ta për ta gjetur një zgjidhje. Nëse për një të tillë nuk do të ketë angazhim të ekzekutivit, Jasharaj paralajmëroi veprime edhe më të rrepta.

“Pas kësaj proteste madhështore, do të ketë veprime edhe më të rënda, të cilat ne nuk i duam, por si duket ju po i doni. Ne jemi këtu ose të bisedojmë ose do të shkojmë në greva të përgjithshme”, ka thënë ai para Qeverisë.

Në protestë morën pjesë përfaqësues të shumë sindikatave, përfshirë atë të Arsimit, Administratës, Shëndetësisë, KEK-ut e Doganës.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, i radhiti disa nga kërkesat. Përveç hartimit të Ligjit të Pagave, Hykolli kërkoi edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe nisjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor. Ndërsa, deri në miratim të Ligjit të Pagave, kryesindikalisti pati një kërkesë për Qeverinë.

“Kërkojmë arsyeshëm rritjen e pagës për 100 euro për të gjithë të punësuarit në Republikën e Kosovës. Ju premtoj fuqishëm e këmbëngulshëm se nuk do të tërhiqemi nga kërkesat tona të përbashkëta derisa t’i realizojmë ato”, ka thënë Hykolli.

Në mesin e kërkesave ndaj Qeverisë ishte edhe mundësimi i tërheqjes së një pjese tjetër nga kursimet në Trustin Pensional.