Arbëri

Avokati i Veselit: Nazim Bllaca ka vdekur

Ben Emmerson, avokat i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka bërë të ditur se Nazim Bllaca, që para më shumë se 10 vjetësh ishte deklaruar si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës, ka vdekur.

Teksa doli kundër provave nga Serbia, që do të përdoren nga Prokuroria kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale, Emmerson u shpreh se materialet nga ky shtet janë të dyshueshme, ndërsa lidhi deklaratën edhe me Bllacën si “aset serb”.

“Ekzistojnë prova nga Tribunali i Hagës se shërbimet sekrete të Serbisë kanë tentuar të korruptojnë dëshminë. Një dëshmitar ka pranuar se është dërguar si dëshmitar nga shërbimet serbe sekrete dhe dëshmia e tij ishte e rreme. S’e pranojmë pohimin që Serbia i ka dëshmitë dhe që nëse ka ndodhur një gjë e tillë është material që do të diskreditojë çështjen e Prokurorisë. Janë dhënë dëshmi që shërbimi sekret serb që nga niveli më i lartë ka marrë pjesë në praktika të ndryshme të kanosjes, kërcënimit, ryshfetit e individë të ndryshëm duke detyruar të nënshkruajnë dokumente që Prokuroria do t’i vendoste në tabelën e saj. Prokuroria vazhdon të mbështetet te një dëshmitar, për rastin e incidenteve që kanë të bëjnë me Veselin, është Nazim Bllaca, që ka vdekur. Ai ishte aset serb, i paguar nga Serbia”, ka deklaruar Emmerson.

Më 2009, Nazim Bllaca para mediave ishte shprehur se ka marrë pjesë nën urdhra të SHIK-ut “në 17 aksione të vrasjes, plagosjes, rrahjes e shantazhit të personave të caktuar, të parë si kolaboracionistë të Serbisë apo si rivalë politikë”.

“Epror kryesor në SHIK e kam pasur Azem Sylën. Bëhet fjalë për vrasje, plagosje, kërcënime, shantazhe, rrahje brutale etj. Është vështirë me ardhë këtu para parlamentit edhe me thënë si dëshmitar, mirëpo boll ka shkuar me ata dëshmitarët e fshehtë. Unë jam penduar për punën që është bërë nga 12 qershori i vitit 1999”, pati thënë Bllaca, duke mos përmendur emrin e personit që thotë ta ketë vrarë, siç raportonte REL.

Nazim Bllaca pati deklaruar se krimet janë kryer pas periudhës së luftës. Ai aty përmendi se për aksionet e kryera ka marrë urdhra nga, siç tha ai, "pjesëtarë të SHIK-ut, që gjenden në strukturat udhëheqëse të Partisë Demokratike të Kosovës".

Emri i Bllacës ka qenë qe një kohë të gjatë larg opinionit publik. Lajmi për vdekjen e tij s’është raportuar më herët.