Arbëri

Çitaku: S’do të ketë rrugë të përshpejtuar për Kosovën drejt KiE-së

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se për Kosovën nuk do të ketë rrugë të përshpejtuar të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Çitaku ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të enjten se lajmi se Kosova nuk do të jetë në agjendë të diskutimit në takimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që do të mbahet të premten në Torino të Italisë, është jashtëzakonisht shqetësues.

Sipas saj, ky është një indikacion që nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.

“Ky është një lajm jashtëzakonisht shqetësues sepse është indikacion që nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtare dhe e dyta mbase mund të flasë edhe për një çarje brenda aleatëve tanë. Shpresoj që ky refuzim i trajtimit të menjëhershëm të aplikacionit të Kosovës të mos jetë produkt i moskoordinimit mes institucioneve tona dhe aleatëve tanë. Sikur aplikimi të ishte i koordinuar, Kosova do të ishte në agjendë nesër. Ky do të jetë një proces i gjatë. Nuk do të ketë rrugë të përshpejtuar për Kosovën drejt Këshillit të Evropës. Këtu kërkohet një votë formale”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka shtuar se për këtë do të kërkojnë përgjigje edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, por edhe nga aleatët ndërkombëtarë.

“Ne në politikën e jashtme dhe në raport me partnerët ndërkombëtar duhet të tregohemi serioz, të përgjegjshëm, nuk duhet ë kemi arrogancë. Aleancat që i kemi ndërtuar nuk duhet t’i marrim si të mirëqena. Aleancat duhet t’i ushqejmë vazhdimisht”, është shprehur ajo.