Arbëri

Rreth 100 mijë të papunë pushojnë së kërkuari punë

Rreth 100 mijë persona që u regjistruan si të papunë në fillim të pandemisë kanë hequr dorë dhe tash më nuk po kërkojnë punë. Sipas Agjencisë së Punësimit, largimi i tyre nga lista e punëkërkuesve u bë në mënyrë automatike, pasi nuk u paraqitën në zyra të punësimit brenda periudhës 6- mujore. Kjo nuk do të thotë se këta persona janë punësuar. Në ATK thonë se janë punësuar 25 mijë persona, pjesë e të cilëve janë edhe ata që formalizuan punësimin për të përfituar nga ndihmat e Qeverisë.

U regjistruan si të papunë për të përfituar nga ndihmat e Qeverisë në kohë pandemie. Por, dy vjet pas, numri i punëkërkuesve ka rënë në nivelin e para pandemisë.

Nga 170 mijë, sa ishin në fund të vitit 2020, tani në Agjencinë e Punësimit si punëkërkues figurojnë vetëm rreth 70 mijë persona, aq sa ishin në shkurt të 2020-s.

Sipas disa të dhënave të Agjencisë së Statistikave, në dhjetor të vitit të kaluar kishte rënie të atyre që kërkuan punë për rreth 40 mijë persona.

Në Agjencinë e Punësimit thonë se sistemi i nxjerr automatikisht nga lista e punëkërkuesve personat që brenda 6 muajve nuk paraqiten në zyre të punësimit.

“Viti 2021 ka pasur një rënie graduale të punëkërkuesve që janë regjistruar në 2020-n dhe nuk e kanë vazhduar papunësinë, nuk janë ardhur në zyre të punësimit për të marrë këshillime për punësim dhe në këtë mënyrë gradualisht ka vazhduar rënia e papunësisë. Ky trend vazhdon edhe sot. Nëse flasim deri në prill të 2022-ës kemi diku 70 mijë persona të regjistruar si të papunë, të cilët në mënyrë aktive kërkojnë punë dhe vazhdojnë papunësinë”, ka thënë Shpëtim Kalludra, udhëheqës i Divizionit për politika të tregut të punës në AP.

Por rënia e numrit të punëkërkuesve nuk do të thotë se ata janë të punësuar. Megjithatë, të dhënat e fundit të ASK-së janë ato për tremujorin e parë të 2021-ës.

Derisa të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës tregojnë për një rritje të numrit të të punësuarve për mbi 25 mijë të punësuar krahasuar me shtatorin e 2020-ës.

“Gjatë fundit të vitit të kaluar kemi pasur zgjedhjet lokale dhe gjatë muajve tetor, nëntor dhe dhjetor ka pasur një numër të rritur të punëtorëve që kanë qenë të punësuar të njëhershëm për shkak se kanë qenë me kontratë të përkohshme. Edhe në periudhën shkurt-mars-prill kemi pasur të vitit të kaluar, kemi pasur zgjedhje nacionale dhe kemi pasur numër të punëtorëve që kanë qenë me kontrata të përkohshme”, ka thënë Ilir Murtezaj, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës

Në numrin e 25 mijë të punësuarve hyjnë edhe punëtorët e formalizuar si rezultat i disa masave të ndërmarra nga Qeveria.

“Gjatë vitit të kaluar kemi pasur 4 mijë të formalizuar nga gjetjet tona në terren. Kemi inspektuar punëtorë që kanë qenë pa kontrata”, ka shtuar Murtezaj.

Në Kosovë janë të punësuar mbi 370 mijë persona, prej të cilëve në sektorin publik janë afro 86 mijë të punësuar.

Por numri i të papunëve që nuk kërkojnë punë sillet rreth 702 mijë persona.