Arbëri

Dialogu me serbët e Kosovës – një vit mbetet premtim i Kurtit

“Në javën e parë unë do të filloj me dialogun me pakicën serbe menjëherë. Nuk e ka bërë asnjë kryeministër deri më sot, unë do ta bëj”, kishte deklaruar kryetari i Vetëvendosjes, tani kryeministri Albin Kurti, më 17 shtator 2019
 
Ky tekst është Premium por sot mund ta lexoni pa pagesë!

Premtimin për dialog me serbët e Kosovë nuk e ka realizuar ende kryeministri Albin Kurti, ndonëse ka më shumë se një vit që është zgjedhur në krye të ekzekutivit. Derisa nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë asnjë arsye pse nuk ka nisur deri më tani, njohës të zhvillimeve në vend e konsiderojnë të rëndësishëm vendosjen e një komunikimi mes Qeverisë e serbëve të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti para se të vinte në pushtet, ka përmendur vazhdimisht se në kohën që do të jetë në krye të Qeverisë, do të dialogojë me serbët e Kosovës. Një premtim të tillë, Kurti e ka bërë kryesisht gjatë fushatave zgjedhore, para zgjedhjeve të tetorit të 2019-s e atyre të shkurtit, 2021. Por dialogu nuk ka nisur ende, ndonëse në mars të këtij viti, Kurti ka mbushur një vjet si kryeministër, madje për herë të dytë brenda dy vjetësh.

“Në javën e parë unë do të filloj me dialogun me pakicën serbe menjëherë. Nuk e ka bërë asnjë kryeministër deri më sot, unë do ta bëj”, kishte deklaruar kryetari i Vetëvendosjes, tani kryeministri Albin Kurti, më 17 shtator 2019, gjatë pjesëmarrjes në diskutimin “Fol Hapur”. “Pra, me pakicën serbe në Kosovë. Janë qytetarët të Kosovës, do të fillojmë dialogun e institucionalizuar që planifikohet prej lart e zhvillohet prej poshtë dhe nuk është dialog për pajtim. Unë nuk kam nevojë të pajtohem me serbët e Graçanicës, nuk më kanë bërë asgjë”, kishte deklaruar Kurti, duke shtuar se dialogu do të zhvillohej në komunat ku banojnë serbët.