Arbëri

Veteranët paralajmërojnë “bllokim” nëse ndahen pensionet nga paga minimale

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar protesta në rast se Kuvendi miraton në lexim të parë ndryshimin e ligjit për pagën minimale, që parasheh largimin e lidhjes së pensioneve të veteranëve me pagën.

Të premten, Kuvendi s’pati kuorumin për të votuar ndryshimin e ligjeve që përcaktojnë pagën minimale. Me caktimin e pagës minimale nga 170 euro në 264, është eliminuar efekti i kësaj rritjeje tek pensioni i veteranëve, i personave të verbër, si dhe tetraplegjikëve e paraplegjikëve.

Në një shkrim në Facebook, Faton Klinaku nga organizatat e veteranëve të luftës, ka thënë se veteranët po kërkojnë protesta. Ai ka porositur që ata të rrinë gati për diçka të tillë.

Ka paralajmëruar ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Sa i përket ndryshimit të ligjit që po përpiqet ta bëjë ky koalicion i papërgjegjshëm qeveritar, me anë të të cilit po do që t'i shkëpusë pensionet nga lidhja me pagën minimale, ju them veteranëve se nëse rastësisht e bëjnë është vetëm miratimi i leximit të parë, dhe para se ata ta bëjnë leximin e dytë ne duhet që masovikisht të dalim e t'i bllokojmë. Për ta penguar këtë papërgjegjësi të këtij koalicioni, ne kemi qenë dhe jemi në kontakt edhe me deputetët e opozitës dhe pozitës, por do të shfrytëzohet edhe gjykata kushtetuese për të konstatuar shkeljet që duan t'i bëjnë”, ka shkruar ai.