Aplikimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës është zhvillimi më i madh në politikën e jashtme gjatë 12 muajve të fundit, sipas publicistit dhe shkrimtarit Veton Surroi.
Ai ka thënë se aplikimi në KE do të jetë edhe një test për shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën.
“Është zhvillimi më i madh në politikë të jashtme gjatë 12 muajve të fundit. Kemi të bëjmë me një organizatë e cila është krijuar si një lloj paradhome për të gjitha integrimet e tjera evropiane. Aty ka qenë edhe Rusia me shpresë që një ditë do të reformohet. Ky aplikim ka disa dimensione, njëri prej tyre është qartazi një test me shtetet të cilat na kanë njohur. 34 nga 31 shtete sa nevojiten për të votuar pro anëtarësimit na kanë njohur. Nëse kjo është e vërtetë, votimi do të duhej të ishte relativisht i lehtë”, ka thënë Surroi të enjten në “DESKU” të KTV-së.
Surroi ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në KE do t’i ndihmonte edhe qytetarët që nuk kanë qenë të kënaqur me sistemin gjyqësor të Kosovës, përfshirë ata që kërkojnë pensione e rroga të papaguara nga Serbia.
“Anëtarësimi ka rëndësi dimensionale të ndryshme. Kosova bëhet edhe anëtare e gjykatës, le të themi, e fundit në Evropë. Kjo ka rëndësi për qytetarët dhe për Kosovën në tërësi. Ndërlidhja e Kosovës me Këshillin e Evropës nuk nënkupton që Kosova do të marrë obligime, edhe në aspektin e Gjykatës e cila do të merret me trajtimin e çështjeve që nuk janë kryer brenda sistemit gjyqësor të Kosovës. Anëtarësimi i ka të dyja anët, involvimin e qytetarëve të cilët nuk kanë gjetur satisfaksion brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, prandaj ekziston një drojë në Serbi edhe për çështjen e pensioneve, rrogave të papaguara, dëmeve që Serbia ua ka bërë qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Surroi, i cili ka shtuar se me anëtarësimin në KE mund të zgjidhet edhe çështja e Manastirit të Deçanit.
Kosova aplikoi të enjten për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për pranim mjafton përkrahja e dy të tretave të tyre. Shpresat për pranim janë shtuar pasi nga Këshilli i Evropës u përjashtua Rusia, për shkak të pushtimit të Ukrainës.