Arbëri

Opozita kërkon nga Kurti të raportojë në Kuvend për darkën e Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në darkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak

Kryeministri Albin Kurti nuk ka dhënë sinjale se do të raportojë në Kuvend, për takimin e së mërkurës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Opozita e ka cilësuar papërgjegjësi këtë dhe ia ka rikujtuar Kurtit se Vetëvendosje kishte sponsorizuar rezolutën që obligonte kryeministrin të raportonte para ligjvënësve para dhe pas çdo takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi

Deputetë opozitarë kanë kërkuar të premten që kryeministri Albin Kurti të raportojë në Kuvend për përmbajtjen e diskutimeve të dy ditëve më parë, në darkën e punës në Berlin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e të cilën e ka organizuar lehtësuesi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sa ishte në opozitë, Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) të cilën e drejton, vazhdimisht kishin kërkuar që të raportohej në Kuvend para dhe pas secilit takim që zhvillohej në kuadër të dialogut mes dy shteteve. Po kështu, e kishin sponsorizuar edhe një rezolutë në Kuvend, që e kërkonte këtë.

Tani, në opozitë kanë thënë të jetë i rëndësishëm raportimi nga ana e kryeministrit.

Ariana Musliu, deputete e Partisë Demokratike (PDK), thotë se nëse një gjë të tillë nuk e bën me vetiniciativë, atëherë si opozitë do të shfrytëzojnë mjetet parlamentare për ta bindur kryeministrin që të raportojë.

“Është shumë e rëndësishme që ta kemi kryeministrin. Mendoj që shefat e grupeve parlamentare të opozitës do të dakordohen që ta thërrasim në debat parlamentar. Mendoj që me kërkesë të opozitës do të jetë e mundur që të kemi një debat parlamentar sa i përket dialogut, edhe pse do të duhej që kryeministri me iniciativën e tij të vijë dhe të raportojë në Kuvend”, thotë deputetja e PDK-së.

Ajo ka rikujtuar kërkesën e ngjashme që LVV-ja e kishte për kryeministrat.

“Ju e dini që në Kuvend është një rezolutë, e cila është aprovuar vite më herët me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje ku është kërkuar që të bëhet raportim para dhe pas çdo takimi që mbahet në Bruksel. Tani ju jeni dëshmitarë që nuk kemi deklarim as të zëvendëskryeministrit dhe as të kryeministrit sa u përket takimeve të cilat mbahen në Bruksel”, ka thënë deputetja Musliu. “Do të thosha që është tejet e rëndësishme që të kemi kryeministrin dhe të na njoftojë sidomos në këtë proces shumë të rëndësishëm për Kosovën kur e dimë që është momentum jashtëzakonisht i mirë që të kemi anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, edhe dialogu të ecë përpara me qëllim të vetëm që të kemi njohjen nga Serbia”.

Por, deputetja Musliu thotë se nuk është vetëm raportimi, obligimi të cilin Qeveria Kurti nuk është duke iu përmbajtur.

“Ne kemi edhe ministra që nuk raportojnë. Edhe pas qeverisjes njëvjeçare nuk ka pasur raportim, që gjithmonë ka ndodhur. Të gjitha iniciativat që merren për debate parlamentare janë me kërkesë të opozitës”, ka thënë ajo.

Avdullah Hoti, ish-kryeministër dhe deputet i Lidhjes Demokratike (LDK) në opozitë, ka rikujtuar po kështu se ishte partia e kryeministrit Kurti ajo që kishte sponsorizuar rezolutën për raportim të kryeministrit para dhe pas çdo takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ai ka thënë se, sa i përket çështjes së dialogut, asnjëherë nuk ka ndodhur që Qeveria të jetë kaq e papërgjegjshme karshi Kuvendit.

“Sa kam qenë unë kryeministër, këta kërkonin që të raportoja në baza të rregullta në Kuvend para dhe pas çdo takimi në kuadër të dialogut, të cilën gjë e kam bërë me përpikëri në seancë plenare, si dhe në komisione parlamentare me dyer të mbyllura ku janë informuar deputetët e të gjitha partive për çdo detaj të dialogut. Sot, Kuvendi i Kosovës nuk di se çfarë po ndodh në dialog, me përjashtim të një informate teknike dhe të përgjithshme, të bërë nga zëvendëskryeministri muaj më parë”, ka thënë Hoti. “E them me keqardhje se dialogu ka degraduar nga takimet për marrëveshje për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve, që mbaheshin në Shtëpinë e Bardhë dhe në prezencë të kancelares së Gjermanisë dhe presidentit të Francës, në takime në darka joformale apo takimet për tabela të veturave”.

Që të dy deputetët opozitarë kanë kritikuar çështjet që janë duke u diskutuar në kuadër të dialogut.

Hoti ka thënë se Vetëvendosje ka ndryshuar qëndrimet dhe e ka degraduar procesin dialogues me Serbinë.

“Dialogu ka degraduar nga një dialog bazuar në platformë me objektivë të qartë njohjen reciproke, në dialog pa agjendë, për tema teknike dhe propozime për marrëveshje të pakuptimta. Këta i kanë ndërruar krejtësisht qëndrimet e tyre karshi dialogut. Në opozitë deklaronin se nuk negociojnë pa e zgjidhur çështjen e të pagjeturve dhe pa paguar borxhet që Serbia i ka Kosovës; se dialogojnë me serbët lokalë e jo me Serbinë; se nuk dialogojnë me Serbinë për çështje të brendshme; e të tjera deklarata të papërgjegjshme, siç është ajo se dialogu është çështje e rëndësisë së gjashtë”, ka theksuar ish-kryeministri. “Ndërkaq, tani që janë në qeveri po e bëjnë të kundërtën. E pranojnë se dialogu është çështje urgjente; jo vetëm që dialogojnë me Vuçiqin, por edhe darkojnë me të në mënyrë joformale; dialogojnë me Serbinë për tërheqjen e policisë speciale nga pika kufitare, që është çështje e brendshme e Kosovës. Si t’iu besohet këtyre negocimi i marrëveshjes finale kur i ndërrojnë qëndrimet me kaq lehtësi!”.

Ky deputet i LDK-së ka shfaqur shpresën se Qeveria do t’i koordinojë veprimet e saj me partnerët ndërkombëtarë, pasi ka vlerësuar se vëmendja e tyre është kthyer kah procesi i dialogut.

“Si opozitë do të mbikëqyrim procesin e dialogut dhe do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme. Për ne si Lidhje Demokratike është e qartë se vetëm njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë e qetëson këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Çdo zgjidhje tjetër vetëm sa e ngrin problemin për një kohë”, ka thënë Hoti.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu, ka thënë se Qeveria e tashme ka fjalë të mëdha, por jo vepra. Sipas saj, takimet e “nivelit teknik” nuk do të duhej të ndodhnin në këtë kohë.

“Do të duhej të kemi takime të nivelit të lartë, që është i kryeministrit ku do të flitej vetëm për njohje dhe marrëveshje përfundimtare. Duhet të dimë që ne si shtet duhet të kemi një strategji të qartë, të kemi një plan, të kemi afat kohor se kur do të përfundojë kjo dhe më në fund të kemi një marrëveshje që është gjithëpërfshirëse, me njohje të ndërsjellët dhe gjithmonë duke i ruajtur dhe mbrojtur sovranitetin dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë”, ka thënë Musliu.

Në Zyrën e Kryeministrit, të premten, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS në lidhje me planet potenciale të kryeministrit Kurti për raportim në Kuvend. Informatë për këtë nuk ka dhënë as njëri nga këshilltarët e kryeministrit, kur është pyetur të enjten në “DESK-un” e KTV-së.

“Nuk e di... Ka qenë një darkë pune që nuk është se është arritur diçka apo siç u tha edhe nga konkluzionet e vetë lehtësuesit ishte më shumë diskutim, por kryeministri nuk e ka problem të raportojë e të japë çfarëdo raporti në lidhje me takimet që i ka”, ka thënë këshilltari Jeton Zulfaj.

Darka e punës mes kryeministrit Kurti, presidentit serb, Vuçiq, dhe lehtësuesit të dialogut, Lajçak, është mbajtur të mërkurën në Berlin dhe është aranzhuar nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz. Kryeministri Kurti ka thënë të jetë diskutuar aty për takimin e radhës në Bruksel në nivelin e kryenegociatorëve, e që do të mbahet më 13 maj.