Arbëri

Ndryshimi i ligjeve për pagën minimale, veteranët e luftës paralajmërojnë protesta

Kundërshtim me protesta kanë paralajmëruar veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rast se të enjten deputetët e Kuvendit nisin ndryshimin në ligjin për veteranët, që lidh pensionin me pagën minimale në vend.

Në rend dite të enjten në Kuvend është shqyrtimi i parë i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që caktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore. Për t’i hapur rrugë rritjes së pagës minimale, ndër ndryshimet që duhet të bëhet është largimi i lidhjes së pagës minimale me pensionet e veteranëve. KOHA pati raportuar në fillim të marsit për draftin e ligjit. Pas ndryshimeve, këtyre kategorive s’u garantohet pension në lartësinë e pagës minimale, të cilën Qeveria synon ta ngritë në 250 euro neto, nga 170 sa është aktualisht.

Disa orë para mbajtjes së seancës, që nis në orën 10:00, Faton Klinaku, ushtrues detyre i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka paralajmëruar protesta në rast se deputetët i thonë po ndryshimit.

“Nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës, si pikë 5 e rendit të ditës është paraparë që të diskutohet rreth pagës minimale, ku me anë të projektligjit, tentohet që të ndryshohen ligje që t'i heqin veteranët e luftës nga rritja e pagës minimale. Kjo qeveri mashtruese, duhet ta ketë parasysh se me këtë po bën edhe shkelje kushtetuese. Prandaj, deputetë të nderuar, ju bëj thirrje që mos t'iu përdor Albin Kurti si mashë e kundër vlerave të lirisë, dhe ta keni parasysh se kjo gjë do të kundërshtohet me protesta nga ana jonë”, ka shkruar ai në Facebook të mërkurën në mbrëmje.

Me rritjen e pagës minimale nga 170 në 250 euro pritet të përfitojnë mbi 100 mijë qytetarë, ka njoftuar ditë më parë Instituti GAP.