Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se qindra miliona euro tenderë publik janë të bllokuar si pasojë e mosfunksionalizimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).
Bajrami ka thënë të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, se ky është bllokim i parasë dhe i projekteve shumë të rëndësishme.
“Ne sot kemi qindra milionë euro tenderë publik të cilët janë të bllokuar për shkak të mosfunksionalizimit të Organit shqyrtues të prokurimit. Janë 38 qeverisje komunale që kanë lëndë në OSHP, është bllokim i parasë. Bllokimi i parasë, nëse një kompani e ka fituar tenderin për një projekt infrastrukturore, qoftë rrugë, urë, spital, shkollë etj, kemi një fitues dhe disa kompani që janë ankuar, ky projekt nuk ka filluar asnjëherë. Për të gjithë tenderët që ka pasur ankesa kjo është bllokadë. Për ato që nuk ka pasur ankesa, ato mund të vazhdojnë”, është shprehur Bajrami.
Sipas saj, në Ministrinë e Infrastrukturës janë nënshkruar deri tani dhjetëra tenderë njëburimor.
“Por krahas bllokimit të OSHP-së, ju e keni pa se çka po ndodh të Ministria e Infrastrukturës. 42 tenderë një burimor janë nënshkruar, në vlerë prej 9 milionë euro në MI. Thirren kompanitë dhe bëhen me negocim të drejtpërdrejtë. Sipas informatave që ne kemi, në qeveritë e kaluara për rreth 4 vite janë nënshkruar 15 kontrata të negociuara, ndërkaq për një vit qeverisje të LVV-së janë nënshkruar 42 kontrata të tilla”, ka deklaruar deputetja Bajrami.
Ajo ka kritikuar edhe mosfunksionalizimin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës , duke thënë se kjo Qeveri e cila ka ardhur në pushtet me 51% të votave të qytetarëve, nuk është në gjendje të gjejë 5-6 emra për t’i vendosur në këtë institucion të rëndësishëm.