Arbëri

Mitrovica e Veriut, Shtërpca dhe Prizreni pa nënkryetarë për komunitete

Ndonëse në regjistrimin e popullsisë, 10 për qind e qytetarëve të tyre janë nga radhët e komuniteteve joshumicë, tri komuna nuk i kanë zgjedhur ende nënkryetarët për komunitete. Ekspertët e çështjeve lokale thonë se moszgjedhja e tyre është reflektim i politikës në komuna dhe i zbrazëtive të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, që nuk parasheh se pas sa kohësh zgjidhet nënkryetari për komunitete

Pa nënkryetarin e dytë apo nënkryetarin për komunitete kanë mbetur Komuna e Mitrovicës së Veriut, Shtërpcës e Prizrenit.

Ndonëse me regjistrimin e popullsisë, 10 për qind e qytetarëve të tyre janë nga radhët e komuniteteve joshumicë, këto tri komuna ende nuk i kanë dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.

Në veri regjistrimi i popullsisë kishte dështuar në vitin 2011, por statistikat e tjera i vendosnin komunitetet joserbe në Mitrovicën e Veriut te niveli mbi 10 për qind, i mjaftueshëm për ta pasur nënkryetarin e dytë. Në bazë të të dhënave të Zyrës së UNMIK-ut për Komunitete Lokale në Mitrovicë të vitit 2010, komunitetet joserbe e përbëjnë rreth 23.5 për qind të popullatës së përgjithshme.

Komuniteti më i madh pakicë i kësaj komune janë shqiptarët. E kërkesë për ta zgjedhur nënkryetarin nga subjekti Iniciativa Qytetare për Mitrovicën ka marrë kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.

Skënder Sadiku, zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut nga radhët e Iniciativës Qytetare për Mitrovicën, ka thënë se kërkesën ia ka bërë pikërisht subjekti i tij. E njoftuar sipas tij, është edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Kryetari në mbledhjen e dytë apo të tretën në asamble më është përgjigjur se pret përgjigje prej MAPL-së dhe kemi qenë në kontakt edhe me ministrin Elbert Krasniqi, i cili është duke u marrë me këtë. Por, në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, neni 61 përcaktohet që kryetari i komunës, ku të paktën 10 për qind e qytetarëve u përkasin komuniteteve joshumicë, do ta kenë një nënkryetar, po ashtu edhe udhëzimi administrativ për emërimin e nënkryetarëve të komunës i jep bazë ligjore që duhet të zgjidhet nënkryetari, por edhe statuti i Komunës së Mitrovicës Veriore në nenin 32 precizon që i ka nënkryetarët për komunitete”, ka thënë Skender Sadiku.

Pajtueshmëri nuk është arritur as në Prizren, ku propozimit të kryetarit Shaqir Totaj nuk iu dha drita e gjelbër në Kuvend Komunal.

“Propozimi i kryetarit Totaj në këtë mbledhje u miratua nga shumica e anëtarëve të kuvendit të pranishëm, por nuk u miratua nga shumica e anëtarëve të komuniteteve (kuvendarët e komunitetit boshnjak dhe turk), ndaj edhe nuk është zgjedhur nënkryetari i Komunës së Prizrenit për komunitete”, është përgjigjur Komuna e Prizrenit duke iu referuar mbledhjes së 29 marsit.

Në këtë komunë kanë thënë se janë të gatshëm për të diskutuar emra të tjerë nga komuniteti boshnjak, që është më i madhi pas komunitetit shqiptar.

“Kryetari i komunës, në mbledhje të kuvendit, por edhe në raste të tjera publike ka shprehur gatishmërinë e tij për të bashkëbiseduar më të gjitha palët relevante për zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete në komunën tonë. Sipas ligjeve, nënkryetari i komunës për komunitete, propozohet nga kryetari i Komunës dhe miratohet nga shumica e anëtarëve të kuvendit të pranishëm, e më pas edhe nga shumica e anëtarëve të pranishëm të komuniteteve jo shumicë”, shkruhet në përgjigjen e komunës.

Ndërkaq, arritja e një dakordimi është vënë në spikamë në Komunën e Shtërpcës, ku kanë thënë se votimi i nënkryetarit nga komuniteti shqiptar do të bëhet në mbledhjen e ardhshme të kuvendit.

“Komuna e Shtërpcës gjithherë e ka pasur nënkryetarin për komunitete. Gjithashtu ju njoftojmë se zgjedhja e nënkryetarit për komunitete është vënë në rend të ditës në seancën e Kuvendit të Komunës, e cila do të mbahet më 27.04.2022 në të cilën do të plotësohet pozita e nënkryetarit për Komunitete. Komuna e Shtërpcës ka bërë konsultime të vazhdueshme me përfaqësues të komunitetit joshumicë, në mënyrë që të arrihet një konsensus dhe se jemi të përkushtuar të zgjedhim nënkryetarin për komunitete, gjë që tanimë është arritur”, thuhet në përgjigjen e kësaj komune.

Analisti i politikave në institutin GAP, Bekim Salihu, problemin e moszgjedhjes së tyre e sheh si ligjor, ashtu edhe të udhëheqjeve komunale.

“E para lidhet me shkaqe politike dhe e dyta ka të bëjë me çështje teknike. Çështjet politike besoj që janë të qarta tani, domethënë ka komuna të cilat e luajnë një rol jo konstruktiv karshi ligjeve të Kosovës dhe procedurave e për rrjedhojë domethënë ndjekin një qasje e cila nuk është e pranueshme. Ndërsa tek arsyet teknike kemi të bëjmë me faktin që Ligji për Vetëqeverisjen Lokale nuk e saktëson se kur pas inaugurimit të tyre duhet ta bëjnë zgjedhjen e nënkryetarëve dhe zëvendëskryesuesve në rastet kur popullata është 10 për qind e komunitetit joshumicë në atë komunë”, ka thënë ai.

KOHA ka adresuar pyetje në Komunën e Mitrovicës së Veriut, si dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal lidhur me mosemërimin e nënkryetarëve për komunitete, por nuk ka marrë përgjigje gjatë ditës.

Në fillim të këtij muaji, KOHA ka raportuar edhe lidhur me Komunën e Fushë-Kosovës, për të cilën MAPL-ja kishte konstatuar se e ka shkelur Ligjin për Vetëqeverisje Lokale me zgjedhjen e nënkryetarit për komunitete nga radhët e komunitetit egjiptian dhe se duhet ta zgjedhë atë nga komuniteti ashkali. As kësaj radhe Komuna e Fushë-Kosovës nuk e ka komentuar vlerësimin e ministrisë. Ndërkaq, komunat e tjera me 10 për qind popullatë joshumicë i kanë zgjedhur nënkryetarët e tyre.

Graçanica e ka zgjedhur Leutrim Ajetin nga Aleanca Shqiptare (për herë të parë ka nënkryetar shqiptar), Obiliqi – Sllavisha Jakovleviqin e Listës Serbe (LS), Dragashi – Fejsall Hallilloviqin nga Partia Unike Gorane (JGP).

Shembull krejt tjetër është Lipjani që i ka nën 10 për qind komunitete joshumicë, por ia ka dhënë pozitën e nënkryetarit për komunitete, Lulzim Qerimit, nga Partia e Ashkalinjve për Integrim (PAI).