Arbëri

Britania mohon pretendimet e Beogradit se po e armatos Kosovën

Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd

Ambasada e Britanisë në Beograd ka reaguar ndaj shkrimeve të mediumeve serbe se Britania e Madhe po e armatos Kosovën.

Në mediume serbe është raportuar se Britania e Madhe e ka furnizuar Kosovën me raketa “javelin”. Ndaj kësaj kishte reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që tha: “Askush nuk ka të drejtë ta armatosë Kosovën, por nuk e kanë dert”.

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mos merren për bazë deklaratat që vijnë nga Beogradi. 

“Deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk duhet kurrsesi t’i merrni si fakte. Buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes është rritur për 52 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Hapat e mëtutjeshëm që duhet t’i merrni është të merrni informacione nga Ministria e Mbrojtjes, nga FSK-ja e kurrsesi nga Beogradi”, ka thënë Kurti.

Por Ambasada e Britanisë në Beograd ka thënë se nuk ka asnjë të vërtetë në këto pretendime dhe u ka bërë thirrje mediumeve në Serbi që të konfirmojnë burimet e mos të përhapin dezinformata.

“Në disa medie të Beogradit u shfaqën shkrime krejt të sajuara për eksport të armëve nga Britania e Madhe në Kosovë. Nuk kë asnjë të vërtetë në këto pretendime”, thuhet në një deklaratë të Ambasadës dërguar Tanjugut. “Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar u bën thirrje medieve që të kontrollojnë faktet dhe ta parandalojnë përhapjen e dezinformatave e të lajmeve të rrejshme”.