Arbëri

Sulmohet sërish Policia e Kosovës në veri

Vetura e Policisë së Kosovës është sulmuar sërish në veri. Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 03:10 të së shtunës, në Sharpej të Jarinjës, kanë ndodhur dy shpërthime që dyshohet të jenë nga mjete piroteknike.

Shpërthimi ka ndodhur në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.

“Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë. Nga shikimi i vendit të ngjarjes është vërejtur se në xhamin e veturës policore ka mbetur një copë letre (dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike). Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet në njoftimin e Policisë të shtunën.

Nga ky rast, nuk ka persona të lënduar e as dëme materiale.

“Policia është duke e trajtuar rastin dhe do të vazhdojë aktivitete operative për të parandaluar aktet kriminale trans-kufitare në atë zonë dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë”, thuhet në njoftim.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur të premten në një konferencë të jashtëzakonshme se në tri ditët e fundit, Policia e Kosovës është sulmuar katër herë në pjesën veriore të Kosovës.

Vetëm mëngjesin e së premtes, sipas MPB-së dhe Policisë, vetura zyrtare policore është sulmuar me grantë dore dhe kallashnikov.