Arbëri

Sulmohet Policia e Kosovës në veri me granatë dore e kallashnikov

Descriptive Text

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se dy vetura të Policisë së Kosovës të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare në veri, janë sulmuar në mëngjesin e së premtes.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media të premten, Sveçla ka thënë se zyrtarët policorë të cilët po shkonin në pikat kufitare për ndërrimin e tyre, janë sulmuar me granatë dorë dhe armë AK-47. Ministri Sveçla e ka quajtur sulmin "terrorist". 

“Sot rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Sveçla.

Sipas tij, në tri ditët e fundit kanë ndodhur katër sulme në atë zonë ndaj Policisë së Kosovës.

“Sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e sotëm, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ta rrezikojnë drejtpërdrejtë jetën e tyre. Sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në veturën e Policisë së Kosovës, sulmi i tretë është publik, ka ndodhur mbrëmë ku në afërsi të puntit policor i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale është gjuajtur me armë zjarri, dhe sot drejtpërdrejtë janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policorë për në pikat kufitare. Ky ishte një ndërrim i rregullt i policisë që ndodh në ora 08:00, dhe dy nga katër sulmet kanë ndodhur në atë kohë”, ka shtuar Sveçla.

Sveçla ka thënë po ashtu se angazhimi i institucioneve të Kosovës për të vendosur rend dhe ligj në çdo pjesë të vendit, është bërë pengesë për Serbinë.

“Në sulmin e sotëm ku rrezikohet drejtpërdrejt jeta e zyrtarëve, tashmë nuk kemi dyshime, është një sulm terrorist”.


Mehmeti: Policinë e Kosovës e gjuajtën për ta lënduar, jo për ta frikësuar

Drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka shpjeguar se si kanë ndodhur katër raste të sulmeve ndaj policëve të Kosovës në afërsi të pikave kufitare. Ka thënë se në automjete ka pasur edhe serbë edhe shqiptarë.

Ai ka thënë se nga e mërkura deri sot (e premte, 15 prill) kanë ndodhur katër sulme. Ai i ka quajtur këto sulme, të organizuara.

“Prej datës 13 deri sot kishim katër sulme të organizuara dhe sinkronizuara ndaj Policisë së Kosovës në territor që është i ndërlidhur, apo vendet ku janë bë sulmet janë të ndërlidhura dhe na bën me dije që kemi të bëjmë me grup të organizuara që ka qëllim të pengojë punën e PK-së dhe dëshiron të pengojë aksionet tona që kanë të bëjmë me luftën kundër kontrabandës në këtë pjesë të kufirit të Kosovës”, ka thënë ai.

“Më 13.4.2022 rreth orës 07:30 në magjistralen Mitrovicë-Zubin Potok patrulla e PK-së ka hasur në rrugë, në iriqë xhemborë metalikë të salduar dhe ndërtuar nga metali i fortë i çeliktë që shërbejnë për t’i dëmtuar gomat e automjeteve. Ishin vendosur 26 iriqë mes rrugës dhe mundësonin bllokimin e rrugës dhe dëmtimin e gomave”.

Mehmeti ka thënë se e veçantë ka qenë koha kur kanë ndodhur sulmet, pasi në orën 08:00 bëhet ndërrimi i patrullave. Të njëjtën ditë, e mërkurë 15 prill, ka ndodhur edhe sulmi tjetër afër pikës kufitare në Bernjak.

“Sulmi tjetër ka ndodhur në të njëjtën ditë në 21:45, njësia e policisë kufitare deri kur ishte duke u kthyer nga përfundimi i ndërrimit në fshatin Davidovc, në afërsi të kalimit kufitar në Bërnjak, është sulmuar me gurë automjeti i PK-së, është dëmtuar automjeti dhe nuk ka pasur lëndime”.

Sulmi i tretë ka ndodhur të enjten dhe ai i katërti ka ndodhur mëngjesin e sotëm (e premte), ka njoftuar Mehmeti dhe ka dhënë detajet për to.

“Sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Bube, në 20:40 janë dëgjuar 4-5 rafale të shkurtra rreth 30 fishkë që dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë. Nuk raportohet për të lënduar por vetëm dëme materiale. Gjuajtja ka ndodhur në distancë 200-300 metra afër patrullës që ka qenë e vendosur në fshatin Bube ku pata disa kohe e kemi bë mbylljen e kësaj rruge që është përdorur për kontrabandim dhe aktivitete tjera kriminale.

“Sot në mëngjes në 7:40 janë sulmuar drejtpërdrejt patrullat e policisë kufitare, sulmi është kryer me granatë dore dhe armë zjarri që dyshohet të jetë AK-47. Të dy veturat e policisë janë dëmtuar, dhe nuk kemi të lënduar”.

Derisa ka treguar fotografitë nga dëmet, Mehmeti ka treguar një veturë në xhamin e të cilës është gjuajtur dhe ka thënë se është gjuajtur për t’u lënduar dhe jo për të frikësuar policët.

{gallery}