Katër sulme ndaj Policisë së Kosovës janë kryer në tri ditët e fundit, në veriun e banuar me serbë. Një nga ta dyshohet të jetë realizuar nga territori i Serbisë. E, sulmi i fundit ka ndodhur të premten me kallashnikovë e granata dore. Autoritetet e kanë kualifikuar akt terrorist këtë. Përderisa ndërkombëtarët e kanë dënuar, Beogradi zyrtar e ka cilësuar si spekulim
Policia e Kosovës është përballur me katër sulme në tri ditët e fundit në veriun e vendit të banuar me serbë, kanë konfirmuar autoritetet shtetërore. Kallashnikovë e granata dore janë përdorur në sulmin e fundit, atë të mëngjesit të së premtes.
Sulmi i armatosur ka ndodhur në Komunën e Zubin-Potokut në orët e hershme të mëngjesit, në rrugën nacionale në drejtim të Bërnjakut, teksa policët ishin duke shkuar për në pikën kufitare në Bërnjak, për ta filluar ndërrimin e mëngjesit. Nga ky dhe tri sulmet paraprake nuk ka pasur viktima a të lënduar.
Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë informacion mbi sulmet, përpara se të ndodhte ai i së premtes.
Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, ka dhënë detaje për këto ngjarje, në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi që e ka mbajtur bashkë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmeti.
Sveçla e ka kualifikuar si terrorist sulmin.
“Sot rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Sipas këtij ministri, sulmet e kësaj jave janë bërë me mjete të ndryshme: gurë, “iriqë” të metaltë që janë vendosur në rrugë për t’i shpërthyer gomat, e edhe armë.
Sveçla ka dhënë detaje mbi secilin prej katër sulmeve.
“Sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur ‘iriqë’ metalikë në rrugën nacionale në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e sotëm, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë ta rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e tyre”, ka thënë ai. “Sulmi i dytë ka ndodhur me gjuajtje me gurë në veturën e Policisë së Kosovës”.
Ka folur edhe për dy përballjet e tjera të policisë.
“Sulmi i tretë është publik, ka ndodhur mbrëmë ku në afërsi të punktit policor i cili bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale është gjuajtur me armë zjarri”, ka thënë ministri Sveçla. “Sot drejtpërdrejt janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policorë për në pikat kufitare. Ky ishte një ndërrim i rregullt i policisë që ndodh në ora 08:00”.
Prej që ka nisur pushtimi i Ukrainës nga Rusia, autoritetet më të larta shtetërore kanë alarmuar vazhdimisht se Serbia synon ta destabilizojë vendin nëpërmjet strukturave të saj që i ka në veriun e vendit të banuar kryesisht me serbë, e të cilët ia kontestojnë Kosovës shtetësinë. Në një intervistë për KOHËN, më 24 mars kryeministri Kurti ka thënë të jenë dhjetë organizata serbe që veprojnë në Kosovë dhe që qëllim e kanë destabilizimin.
Samedin Mehmeti, drejtor i Policisë, tek ka folur për sulmet e kësaj jave, ka thënë se njëri nga ta dyshohet të ketë ardhur nga Serbia.
“Sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Bube. Në 20:40 janë dëgjuar 4-5 rafale të shkurtra, me rreth 30 fishkë që dyshohet se të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë. Nuk raportohet për të lënduar, por vetëm për dëme materiale”, ka thënë ai. “Gjuajtja ka ndodhur në distancë 200-300 metra afër patrullës që ka qenë e vendosur në fshatin Bube, ku para disa kohe e kemi bërë mbylljen e kësaj rruge që është përdorur për kontrabandim dhe aktivitete të tjera kriminale”.
Autoritetet vazhdimisht kanë raportuar për shkallë të lartë kontrabande që bëhet në pjesën veriore, nëpërmjet kufirit me Serbinë. Gjatë muajit shkurt janë vendosur disa barriera në rrugët nëpërmjet të cilave është kontrabanduar dhe janë fortifikuar disa nga stacionet policore në veri, për t’u mbrojtur nga sulmet potenciale.
Sipas drejtorit të Policisë, nuk dihet saktë distanca, prej ku kanë ndodhur sulmet nga ana e Serbisë.
“Është terren malor dhe është terren shumë rural që sigurisht që nuk mund ta dimë se a është gjuajtur prej 300 apo 400 metrash apo 500 metrave (largësi), por në bazë të deklaratave të policëve, të cilët kanë qenë në vend të ngjarjes dhe të cilët i kanë dëgjuar të shtënat, dyshohet të jetë diku 200-300 metra larg tyre dhe dyshohet se ka ardhur nga territori i Serbisë për shkak se ata kanë qenë në rrugën ilegale të cilën e kemi bllokuar para pak kohe dhe e cila është rrugë që është përdorur për çështje të kontrabandimit dhe të natyrave të ndryshme kriminale”, ka deklaruar drejtori Samedin Mehmeti.
Pavarësisht zhvillimeve të javës, ai ka thënë se nuk ka vend për frikë.
“Nuk ka nevojë as për panik, as për frikë e as për shqetësim, as për qytetarët e as për policët për shkak se policët kanë mjetet e nevojshme, kanë pajisje të nevojshme për ta mbrojtur vetveten dhe për ta imponuar rendin dhe ligjin edhe në këtë vend, edhe në të gjitha vendet e tjera”, ka thënë Mehmeti.
Por, shqetësimin për sulmin e ka shprehur Sindikata e Policisë së Kosovës. Në një deklaratë të lëshuar nga Sindikata, është thënë se raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën dhe mund të ketë edhe në të ardhmen.
“Kjo e pasqyron punën me rrezik për shëndetin dhe jetën e zyrtarëve policorë që gjatë kryerjes së detyrave zyrtare sipas ligjit dhe autorizimeve e kanë përditshmëri gjatë 24 orë në ditë”, thuhet në reagim. “Këto janë rastet më të freskëta që institucionet e Republikës së Kosovës ta kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës dhe të reflektojnë me urgjencë që ta përmirësojnë mirëqenien dhe t’i plotësojnë kërkesat dhe nevojat për Policinë e Kosovës, siç janë: Sigurimi shëndetësor dhe jetësor, si dhe kushtet e punës”.
Një ekip i KOHËS ka qëndruar gjatë ditës edhe në fshatin Ujman të Komunës së Zubin-Potokut, ku ka ndodhur sulmi i së premtes. Një pjesë e rrugës nacionale që çon në Bërnjak, me gjatësi prej rreth tri kilometrash ku ka ndodhur sulmi, ka qenë e bllokuar nga policët e trafikut deri rreth orës 14 e 30. Mediat nuk janë lejuar të hynë në atë pjesë as me vetura e as në këmbë.
Gjatë ditës, organet e sigurisë e të drejtësisë nuk kanë njoftuar për ndonjë të arrestuar lidhur me të katër sulmet.