Në qendër të Beogradit lëvizja “Patrulla Popullore”, e krahut të djathtë ekstrem, ka protestuar të premten kundër votës së shtetit të Serbisë për përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Themeluesi i lëvizjes, Damjan Knezheviq, iu adresua protestuesve me mesazhin që është në interes të Serbisë “që Rusia ta fitojë luftën sepse vetëm Rusia garanton që Kosova do të mbetet në Serbi”.
“Rusët dhe Serbët janë vëllezër gjithmonë”, ka qenë brohoritja e protestuesve me flamujt serbë dhe rusë. Ndërkaq ata shfaqën edhe pankarta për Kosovën. “Kush e tradhton Kosovën, e tradhton edhe Rusinë”, thuhej në disa prej tyre.
Siç shkruan “Euronews Serbia”, në protestë janë kënduar këngë ruse dhe janë intonuar himnet e Rusisë dhe të Serbisë.
Anëtarët e lëvizjes së paregjistruar protestuan deri para objektit të Presidencës së Serbisë ku hodhën gaz lotsjellës.
Kërkesa kryesore e tyre ishte që Qeveria e Serbisë të ndalë menjëherë të gjitha procedurat kundër Rusisë.
Serbia, bashkë me Bjellorusinë, janë të vetmet vende në Evropë që s’kanë vënë sanksione ndaj Rusisë, pasi nisi pushtimin e Ukrainës. Ndërkaq Serbia ka votuar pro që Rusia të përjashtohet nga Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut.