Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të sigurohet që të mos dëmtohet besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë së Shtetit, nga procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit, thuhet në një përgjigje të zyrës së presidencës për KOHËN, të mërkurën.
Sipas kësaj zyre, presidentja tashmë e ka pranuar propozimin dhe se ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje dokumentacionin e pranuar.
Ajo do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre lidhur me procesin.
“Lidhur me propozimin për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit, ju njoftojmë që Zyra e Presidentes të premten, me 8 prill, ka pranuar propozimin nga Këshilli Prokurorial i Kosovës. Duke ditur rëndësinë e këtij procesi, Zyra e Presidentes ka filluar të shqyrtojë dhe analizojë në detaje të gjithë dokumentacionin e pranuar, të gjitha faktet dhe rrethanat që ndërlidhen me këtë proces. Presidentja është në komunikim me palët e interesit dhe në ditët ne vijim do të takohet me përfaqësuesit e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes se Kryeprokurorit për të dëgjuar vërejtjet e tyre mbi mbarëvajtjen e këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e presidencës.
Osmani ka theksuar se kandidati i propozuar duhet t’i plotësojë të gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë integritetin.
“Presidentja nënvizon se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit duhet të jetë kredibil dhe me integritet të plotë për të siguruar që besimi i qytetarëve ndaj Prokurorisë se Shtetit nuk dëmtohet. Po ashtu, Presidentja ka theksuar se kandidati i propozuar duhet të plotësoj gjitha kërkesat ligjore, duke përfshirë edhe atë të integritetit”, ka thënë zyra e presidencës së Kosovës.
Këshilli Prokurorial i Kosovës më 6 prill ka votuar unanimisht për Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Paraprakisht, Komisioni për Rishqyrtim i KPK-së më 1 prill 2022, kishte shqyrtuar kundërshtimet e katër kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit: Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.
Isufaj nga KPK-ja është propozuar për dekretim, te presidentja e Republikës së Kosovës.
Përzgjedhja e Isufajt ka nxitur reagime të ndërkombëtarëve, duke përfshirë Zyrën e BE-së, ambasadën amerikane dhe atë gjermane, të cilët e kanë quajtur zhgënjyes procesin.