Arbëri

Kurti: Po e vërejmë qartazi se po kemi sulme, nuk na e ndalin shpejtësinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e tij po sulmohet nga anë të ndryshme, e të cilat siç ka thënë ai, po përpiqen t’ua ndalin shpejtësinë e punës.

Këtë deklaratë Kurti e bëri në një konferencë për media të martën, teksa është pyetur lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit të mësimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.

“Qeveria jonë demokratike me qeverisje të mirë në çdo fushë nuk e ka ndërmend të ndalet, pasi po e vërejmë qartazi se po kemi sulme të ndryshme të cilat po përpiqen të na e ndalin shpejtësinë. Mirëpo ne nuk do të ndalemi asnjëherë në reformat tona, por në të njëjtën kohë do të respektojmë edhe ligjin edhe kushtetutshmërinë”, u shpreh Kurti

Në vendimin e Kushtetueses të publikuar më 8 prill, Gjykata ka theksuar se MASHTI-i përmes vendimit “ka tejkaluar kompetencën dhe ka cenuar përgjegjësitë komunale, përkatësisht ka ndërhyrë në kompetencat vetanake të Komunës së Kamenicës përkitazi me ofrimin e arsimit publik, në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore”.

Rastin në Kushtetuese e ka çuar ish-kryetari i Kamenicës nga radhët e PSD-së, Qëndron Kastrati.